Pas 10 ditësh në terapi intensive në Reanimacionin e Pediatrisë në QSUT, Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, la spitalin 7-vjeçarja që dyshohet se pak kohë më parë u helmua aksidentalisht në banesë. Raportohet se e mitura e ka kaluar rrezikun për jetën dhe është në gjendje më të mirë shëndetësore. Më herët gjatë javës doli nga mjediset spitalore duke u kthyer në shtëpi.
Për fat të keq, humbi të vëllanë 3-vjeçar, i cili nuk mundi t’i mbijetonte helmimit, që dyshohet se erdhi nga pesticidet që familjaret kishin përdorur për spërkatjen e një magazine pranë shtëpisë së tyre, në fshatin Mjedë në Vaun e Dejës.
Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet në lidhje me zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së 3-vjeçarit. Nga të dhënat e deritanishme, dyshohet se motër e vëlla janë intoksikuar nga pesticidet. Ndërkaq, ende priten rezultatet e analizave toksikologjike për të përcaktuar shkakun.
Më 25 shkurt, Prokuroria e Shkodrës njoftonte:
Lidhur me rastin e të miturit që ka ndërruar jete, ju bëjmë me dije se Prokuroria e Shkodrës ka orientuar shërbimet e Policisë Gjyqësore në Komisariatin e Vaut të Dejës për kryerjen e veprimeve të para hetimore.
Eshtë referuar materiali procedural penal dhe prokuroria ka regjistruar procedimin penal e do vijojne hetimet për neglizhencë në trajtimin mjekësor. Nuk ka ende persona nën hetim, por do të verifikohen veprimet e prindërve e të personelit mjekësor.