Rajoni

Pas takimit me Abdixhikun, Kurti: Ende s’e kemi zgjidhjen për president!

“Ende nuk e kemi zgjidhjen, por do t’ju njoftojmë së shpejti”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit të zhvilluar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Sipas Kurtit, takimi ishte “në një atmosferë konstruktive”, ndërsa shtoi se çdo zhvillim i ri do të bëhet i ditur për publikun.

Takimi erdhi ndërsa po afron afati kushtetues për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit e pas raundit të parë të bisedimeve mes Kurtit e Abdixhikut, ku nuk u arrit konsensus mes partive.

Pas takimit të djeshëm, Abdixhiku deklaroi se nuk ishte arritur konsensus.

S’kishte emra, s’kishte propozime, s’kishte vullnet për konsensus. Imponimet nuk janë zgjidhja e duhur për LDK-në. LDK-ja mbetet e hapur për diskutime të mëtejme, por skeptike ndaj idesë që secila parti të shkojë në Kuvend me kandidat të vetin.

Abdixhiku vuri në dukje se për partinë që drejton, gara me disa kandidatë është “procedurë e parashikuar për të dështuar” dhe mund të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.

Nga ana tjetër, para takimit të djeshëm, Kurti kishte deklaruar se për zgjedhjen e presidentit “duhet dikush që siguron 80 vota”, por pa përmendur emra konkretë.

Më herët, ka thënë se Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit dhe pjesëtar i familjes së Adem Jasharit do të ishte figurë e përshtatshme për postin e presidentit, duke theksuar se vendit i duhet një personalitet që, sipas tij, “u bën ballë shtrëngatave” në rrethanat aktuale gjeopolitike.

Megjithatë, Murat Jashari deklaroi se nuk ka ambicie për këtë post.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani ka shprehur dëshirën për një mandat të dytë, por Lëvizja Vetëvendosje që e pati propozuar në mandatin e parë, nuk e ka përmendur emrin e saj si kandidate.

Partitë opozitare e kritikojnë Osmanin për njëanshmëri në favor të qeverisë.

Në javët e fundit, gatishmëri për kandidim ka shprehur edhe ish-ministri Arsim Bajrami, ndonëse pa mbështetje të qartë nga partitë tjera.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, për të propozuar një kandidat për president nevojiten të paktën 30 firma deputetësh. Lëvizja Vetëvendosje ka 57 deputetë e asnjë parti tjetër nuk i ka e vetme 30 vota.

Për zgjedhjen e kreut të shtetit duhen të paktën 80 vota në njërin nga dy raundet e para të votimit ose 61 në të tretin, nga gjithsej 120 deputetë të Kuvendit.