Bota

Për herë të parë në 10 vitet e fundit, numri i të papunëve në Gjermani kalon shifrën 3 milionë!

Tregu i punës në ekonominë më të madhe të Evropës po përballet me sfida të rënda, pasi numri i të papunëve ka kaluar për herë të pare shifrën 3 milionë, që nga shkurti i vitit 2015.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara të premten nga Agjencia Federale e Punësimit (BA), në muajin gusht, në Gjermani janë regjistruar 3.03 milionë të papunë, një rritje prej 46 mijë personash krahasuar me korrikun, dhe 153 mijë më shumë se në të njëjtin muaj të një viti më parë.

Presidentja e BA-së, Andrea Nahles, deklaroi se:

“Në gusht ndodhi ajo që prisnim: për shkak të pushimeve verore, numri i të papunëve kaloi 3 milionë. Tregu i punës është ende i prekur nga recesioni ekonomik i viteve të fundit.”

Sipas saj, megjithëse disa sektorë si shëndetësia dhe administrata publike tregojnë ende rritje të vendeve të punës, rënia vazhdon në prodhim dhe në punësimin e përkohshëm, duke rënduar situatën e përgjithshme, raporton Reuters.

Presidenti i Shoqatës së Punëdhënësve të Gjermanisë (BDA), Rainer Dulger, e quajti këtë situatë një “deklaratë dështimi”, duke kritikuar mungesën e reformave në vitet e fundit.

“Gjermania ka nevojë për një ‘vjeshtë reformash’ të vërtetë,” theksoi Dulger.