Australia po shënon një pikë kthese në tregun e automjeteve, pasi për herë të parë makinat elektrike kanë tejkaluar shitjet e atyre me benzinë brenda një muaji. Në dhjetor u shitën 35,058 automjete hibride, plug-in dhe plotësisht elektrike, krahasuar me 34,559 makina me benzinë. Gjatë gjithë vitit, automjetet e elektrifikuara arritën në 355,887 njësi, duke zënë 28.6 për qind të tregut, ndërsa makinat plotësisht elektrike përbënin 8.3 për qind. Rritja po nxitet kryesisht nga prodhuesit kinezë si BYD, Geely, MG, Xpeng dhe Zeekr, të cilët po fitojnë terren në Australi.
Megjithatë, makinat me benzinë mbeten ende segmenti më i madh i tregut me 38.3 për qind, ndërsa dizeli mban 29.4 për qind. Krahasuar me vitin 2015, kur benzina dominonte me 67 për qind, të dhënat tregojnë një ndryshim të madh në preferencat e konsumatorëve dhe sinjalizojnë se viti 2026 mund të jetë i pari ku automjetet e elektrifikuara dominojnë tregun.
Ndërkaq, sipas Bosch, motorët me benzinë do të vazhdojnë të dominojnë tregun e makinave në Amerikën e Veriut edhe deri në vitin 2035. Kompania parashikon se rreth 70 për qind e automjeteve do të kenë ende motorë me djegie të brendshme, kryesisht të kombinuar me sisteme hibride ose si gjeneratorë për automjete elektrike. Presidenti i Bosch në Amerikën e Veriut, Paul Thomas, tha se kompania po ndjek një qasje të balancuar mes elektrifikimit, hibrideve dhe motorëve tradicionalë.
Viti 2026 ka nisur me një sukses të madh për Mercedes-Benz, pasi modeli i ri Mercedes CLAështë shpallur zyrtarisht Makina e Vitit 2026 në Europë. Çmimi prestigjioz u nda gjatë një ceremonie të zhvilluar në kuadër të Salon de Bruxelles. Mercedes CLA arriti të fitojë përballë gjashtë modeleve të tjera finaliste, pas vlerësimit të një jurie të përbërë nga 60 gazetarë automobilistikë nga vende të ndryshme të Europës. Juria vlerësoi dizajnin, teknologjinë, efikasitetin dhe risitë që ky model sjell në segmentin e tij.