Ekziston një dallim i qartë midis lëkurës së shëndetshme, natyrshëm të ndritshme dhe atij shkëlqimi të tepërt, estetikisht të pakëndshëm, që e bën fytyrën të duket e yndyrshme dhe e parregullt. Dermatologët theksojnë se shkëlqimi i tepërt nuk është vetëm problem estetik, por rezultat i proceseve që ndodhin si në organizëm, ashtu edhe në sipërfaqen e lëkurës. Lajmi i mirë është se lëkura e yndyrshme mund të parandalohet.
“Fajtorët” kryesorë për pamjen e yndyrshme të fytyrës janë gjëndrat dhjamore (sebaceale). Ato ndodhen në dermë dhe prodhojnë në mënyrë natyrale sebumin, një substancë vajore që hidranton lëkurën, e mbron nga mikroorganizmat dhe ndihmon në ruajtjen e barrierës mbrojtëse. Por kur këto gjëndra punojnë tepër intensivisht, lëkura fillon të shkëlqejë në zona si balli, hunda dhe mjekra (të ashtuquajtura T-zonë).
Në këtë proces ndikojnë faktorë hormonalë, veçanërisht androgjenët, të cilët stimulojnë prodhimin e sebumit, prandaj lëkura e yndyrshme është më e zakonshme gjatë pubertetit ose ndryshimeve hormonale. Studimet tregojnë se klima ka ndikim të madh, lagështia e lartë dhe nxehtësia nxisin aktivitetin e gjëndrave dhjamore, ndërsa dimri shpesh çon në kombinim të lëkurës së thatë dhe të yndyrshme për shkak të barrierës së dëmtuar. Gjenetika, kujdesi i gabuar dhe ushqimi gjithashtu kanë ndikim të drejtpërdrejtë.
Shumë persona përpiqen ta zgjidhin problemin me pastrime të shpeshta ose pilingë agresivë. Kjo largon përkohësisht yndyrën, por gjëndrat marrin sinjal të prodhojnë edhe më shumë sebum, duke e përkeqësuar gjendjen. Po ashtu, përdorimi i pudrave apo kremrave me bazë vajore mbyll poret dhe shkakton puçrra e pika të zeza (mitisere). Dermatologët këshillojnë kombinimin e higjienës së duhur, produkteve të përshtatshme dhe zakoneve të shëndetshme.
Acidi salicilik ndihmon në tretjen e sebumit dhe hapjen e poreve, pa e tharë lëkurën. Kur lëkura është mirë e hidratuar, gjëndrat e kuptojnë se nuk kanë nevojë të prodhojnë më shumë vaj. Formulat me zink ose niacinamid reduktojnë sekretimin e sebumit dhe kanë veti kundërinflamatore. Studimet tregojnë se përdorimi lokal i zinkut mund të zvogëlojë dukshëm aknet dhe shkëlqimin e tepërt.
Kremrat me mbrojtje diellore (SPF) duhet të jenë pjesë e përditshme e kujdesit, zgjidhni produkte jo komedogjene, me mikrozink, që madje thithin yndyrën e tepërt. Tonikët me alfa-hidroksi acide (AHA), si acidi glikolik dhe acidi laktik, veprojnë si pilingë të butë që largojnë qelizat e vdekura dhe rregullojnë shpërndarjen e sebumit. Maskat me argjilë (kaolin, bentonit, argjilë marokene) janë ideale si trajtim periodik për të absorbuar vajin e tepërt dhe papastërtitë nga poret.
Ajo që hamë, reflektohet drejtpërdrejt në lëkurë. Vitamina A (nga karota, pjepëri, spinaqi) ndihmon në rregullimin e prodhimit të sebumit. Në të kundërt, ushqimet e djegës dhe alkooli zgjerojnë enët e gjakut dhe rrisin djersitjen, duke nxitur shkëlqimin dhe inflamacionet. Gjumi i mirë dhe menaxhimi i stresit janë po ashtu të domosdoshëm, sepse ndryshimet hormonale nën stres ndikojnë direkt në yndyrën e lëkurës. Heqja totale e yndyrës nga lëkura nuk është as e mundur, as e shëndetshme. Me kujdes të rregullt, zgjedhje të mençura të produkteve dhe zakone të shëndetshme, fytyra mund të mbetet e pastër dhe e mbrojtur, pa humbur shkëlqimin natyral.