Blake Lively dhe Justin Baldoni ende nuk kanë arritur një marrëveshje në përplasjen e tyre ligjore, pavarësisht orëve të gjata të diskutimeve në gjykatë.
Të dy aktorët u larguan nga gjykata në Nju Jork pas gjashtë orësh negociatash me gjyqtaren Sarah L. Cave, pa arritur një zgjidhje. Sipas një burimi për revistën People, përpjekjet për kompromis nuk dhanë rezultat dhe procesi pritet të vazhdojë.
Avokati i Baldonit, Bryan Freedman, konfirmoi para mediave se palët janë ende larg një marrëveshjeje, por negociatat do të vijojnë.
Çështja do të vazhdojë. Jam optimist dhe gjithmonë ekziston mundësia për një zgjidhje
-deklaroi ai.
Konflikti ligjor nisi pasi Lively ngriti padi për ngacmim seksual ndaj Baldonit, duke e akuzuar për sjellje të papërshtatshme gjatë xhirimeve të filmit “It Ends With Us”. Baldoni i ka mohuar kategorikisht akuzat.
Dokumentet gjyqësore të publikuara në fund të vitit të kaluar zbuluan se aktorja kishte përfshirë mbi 100 dëshmitarë të mundshëm në çështje, mes tyre emra të njohur si Emily Blunt, Gigi Hadid dhe Hugh Jackman.
Ndërkohë, në një seancë të mëparshme, avokatët e Baldonit kërkuan rrëzimin e padisë, duke argumentuar se situata përbën një mosmarrëveshje personale dhe jo sjellje të pahijshme.