Sport

Përcaktohen gjysmëfinalistët e Europa dhe Conference League!

9 gola të realizuar, përmbysje dhe emocione deri në përfundim, Man Utd-Lyon ishte padyshim ndeshja më e çmendur e këtij sezoni në futboll, por edhe më spektakolarja në historinë e Europa League.

Në Old Trafford u luajt futboll deri në sekondat e fundit, në një ndeshje që dukej sikur nuk do të mbaronte kurrë, por në fund, djajtë kaluan në gjysmëfinalen e Europa League.

Pas barazimit 2-2 në Francë, Man Utd siguroi kalimin në shtëpi, në një ndeshje ku realizoi dy gola që në fraksionin e parë me Ugarte e Dalot. Në pjesën e dytë Lyon shënoi me Tagliafico e Tolisso, e gjithçka shkoi në shtesë, aty ku emocionet ishin edhe më të mëdha.

Francezët gjetën sërish dy gola me Cherki e Lacazette, duke dërguar shifrat në 2-4, por asgjë nuk kishte mbaruar, pasi Man Utd do të bënte përmbysjen e çmendur. Fernandes shënoi për 3-4, e pas tij në minutën e 120-të erdhën dy gola me autorë Mainoo e Maguire, duke kompletuar kështu përmbysjen e madhe.

Në gjysmëfinale djajtë e kuq do të përballen me Athletic Bilbaon. Më tej u kualifikuan edhe Tottenham e Bodo Glimt, të cilat do të përballen së bashku në gjysmëfinalen e Europa League. Kjo fazë do të luhet më 1 dhe 8 maj, për të zbuluar skuadrat finaliste të këtij edicioni.