Një burrë nga Massachusetts fitoi 300 mijë dollarë në lotari duke përdorur një grup numrash nga ashensori i punës së tij të vjetër. Sipas Lotarisë Shtetërore të Massachusetts-it, banori i Weymouth-it, Sylvester Semedo, luajti të njëjtin grup numrash; 2, 6, 10, 14 dhe 18 tre herë në një biletë të vetme të lojës “Mass Cash”, për shortin e datës 26 qershor.
Semedo u tha zyrtarëve të lotarisë se këto ishin të vetmet kate ku ndalonte ashensori në ndërtesën ku kishte punuar më parë. Këta numra i siguruan atij një çmim prej 300 mijë dollarësh amerikanë nga 100 mijë dollarë për secilin grup të luajtur. Ai tha se planifikon të përdorë një pjesë të fitimeve për të ndjekur një ndeshje të Boston Red Sox jashtë fushës së tyre.
Rikujtojmë se dhjetëra norvegjezë menduan se ishin bërë milionerë pasi morën një njoftim nga kompania shtetërore e lojërave të fatit, ku thuhej se kishin fituar shuma marramendëse derisa doli se ishte një gabim. Kompania nuk pranoi të konfirmonte numrin e saktë të atyre që u prekën. Drejtoresha ekzekutive e Norsk Tipping, Tonje Sagstuen, kërkoi falje dhe dha dorëheqjen një ditë më vonë. Një gabim në konvertimin nga eurocentët në korona norvegjeze bëri që shumat e çmimeve të ishin “tepër të larta”, tha kompania.
Shuma u shumëzua me 100, në vend që të pjesëtohej me 100. Norsk Tipping merr shumat e çmimeve nga Gjermania në euro dhe më pas i konverton ato në korona norvegjeze. Shumat e sakta u përditësuan të shtunën në mbrëmje. Nuk u bënë pagesa të pasakta, tha kompania e lojërave të fatit. “Më vjen shumë keq që kemi zhgënjyer kaq shumë njerëz dhe e kuptoj që njerëzit janë të zemëruar me ne”-tha Sagstuen në një deklaratë, duke shtuar se kritika është e justifikuar duke pasur parasysh shkeljen e besimit.