Në Castellammare di Stabia (Napoli), karabinierët italianë arrestuan një boksier 26-vjeçar nga e njëjta zonë e Italisë, i dyshuar se mbante një maskë me fytyrën e Gigi D’Alessios për të kryer vjedhje dhe mashtruar kamerat e sigurisë. Ajo që e zbuloi këtë herë nuk ishte maska, por një kapuç që ai e mbante teksa drejtonte makinën në Via Motta Casa dei Viri.
Oficerët e vunë re dhe filluan një ndjekje. Rezultoi se automjeti ishte vjedhur dhe targat ishin ndryshuar. Ndjekja e grabitësit përfundoi në Via Cupa Varano. I riu italian u përpoq të ikte në këmbë, por pa sukses. Kur u kap, raportohet se ai sulmoi karabinierët, duke përdorur aftësitë si boksier profesionist. Agjentët morën disa gushta, por arritën ta neutralizonin.
Çanta që iu gjet në xhipin e vjedhur përmbante mjete për grabitje dhe tre maska me portretin e Gigi D’Alessios e që me shumë gjasa janë përdorur gjatë vjedhjeve, për të mashtruar kamerat e sigurisë. Pjesa e pasme e maskave, po ashtu kishte një dedikim nga këngëtari i famshëm italian, me falënderime për fansin lidhur me pjesëmarrjen në një nga koncertet e tij.
26 vjeçari do të përballet me akuza për pastrim parash, pranim të mallrave të vjedhur, rezistencë ndaj arrestimit dhe sulm kundrejt një zyrtari publik. Aktualisht, ai u dërgua në paraburgim, në pritje të gjyqit. Makina me të cilën u kap iu kthye pronarit të ligjshëm, siç bëjnë të ditur mediat në vendin fqinj.