E ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Shqipëri, Nancy VanHorn, ka zhvilluar këtë të premte një takim në selinë e qeverisë. Megjithatë, diplomatja nuk është takuar aty me kryeministrin Edi Rama. VanHorn u pa teksa largohej nga godina mëngjesin e sotëm, pas takimit të zhvilluar, për të cilin ende nuk ka ndonjë detaj.

Në fillim të muajit gusht, personeli i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara u takua me anëtarë të sapozgjedhur të Kuvendit. Sipas ambasadës, takimi u bë për të kuptuar shqetësimet e komuniteteve të tyre dhe përparësitë në prag të fillimit të mandatit.
Ne presim me kënaqësi të punojmë me përfaqësues të zgjedhur nga i gjithë spektri politik për të vijuar partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë, theksoi selia diplomatike e Uashingtonit në vendin tonë.