Aksidenti në Durrës, me viktima dy të mitur dhe një 8 vjeçar të plagosur, të përplasur nga një i dehur në timon, kryepolici Skënder Hita pezulloi nga detyra disa drejtues të bluve. Për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave, të pezulluarit janë kreu i Policisë Durrës, Afrim Tafa, zv.drejtori për Rendin dhe Sigurinë Publike, Zija Sulaj e shefi i Sektorit të Policisë Rrugore, Kreshnik Skëndo.
Hita urdhëroi edhe ngritjen e një grupi ekspertësh nga strukturat e Policisë Rrugore, që shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit. Paralelisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim disiplinor për të vlerësuar nëse ka përgjegjësi nga ana e punonjësve të policisë lidhur me këtë rast të rëndë.
Nisur nga aksidenti shumë i rëndë i ndodhur dje, në qytetin e Durrësit, si pasojë e të cilit humbën jetën 2 të mitur dhe u dëmtua një tjetër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Skender Hita, në zbatim të Rregullores së Policisë së Shtetit, ka pezulluar nga detyra, për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave:
-Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Drejtues Afrim Tafa;
-Zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të DVP Durrës, Kryekomisar Zija Sulaj;
-Shefin e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Durrës, Kryekomisar Kreshnik Skëndo.
Gjithashtu, menjëherë pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur hetimin disiplinor për të vlerësuar nëse ka apo jo përgjegjësi në radhët e punonjësve të Policisë, për këtë rast, thuhet në njoftim.
Aksidenti i djeshëm te ish-Këneta, i mori jetën dy djemve 10 e 12 vjeç, ndërsa një 8 vjeçar, mori plagë të rënda e po trajtohet te Spitali i Traumës në Tiranë.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik duke shkaktuar reagime mbi problematikën e sigurisë rrugore dhe nevojën për respektimin e rregullave të qarkullimit.