Aktualitet

Aksidenti tragjik, pezullohet drejtori i policisë së Qarkut Durrës, Afrim Tafa!

Pas aksidentit të rëndë në Durrës ku dy fëmijë të mitur humbën jetën dhe një tjetër u plagos rëndë, pezullohet nga detyra deri në përfundim të hetimeve drejtori i policisë qarkut Durrës, Afrim Tafa. Në vend të tij është caktuar përkohësisht Ervin Hodaj.

Më herët, Policia e Shtetit doli me një njoftim më të zgjeruar lidhur me aksidentin tragjik në lagjen nr.15 të Durrësit, ku një automjet me drejtues Nikoll Radaçin përplasi për vdekje 2 fëmijë dhe plagosi rëndë një tjetër të mitur.  Blutë konfirmojnë zyrtarisht se 57-vjeçari ishte në gjendje të dehur teksa ngiste makinën e për pasojë humbi kontrollin, duke marrë përpara të miturit, 2 prej të cilëve humbën jetën në vend.

Policia sqaron edhe se Nikolla Radaçi rezulton si shofer i ndëshkuar disa herë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Vetëm në vitin 2022, 57-vjeçarit iu pezullua 2 herë leja e drejtimit të makinës, ndërsa është sanksionuar edhe më parë për parakalim të gabuar e për tejkalim të shpejtësisë.

Ndërkaq, është stabilizuar gjendja shëndetësore e 8-vjeçarit, i cili mbeti i plagosur në aksidentin tragjik në Durrës, ku dy fëmijë humbën jetën.

Për fat të mirë, i mituri ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe pas trajtimit intensiv, pritet të kalojë në pavion për vijimin e mjekimit. Mjekët konfirmojnë se ai do të vazhdojë të ndiqet nga specialistët për dëmtimet e marra.