Është stabilizuar gjendja shëndetësore e 8-vjeçarit, i cili mbeti i plagosur në aksidentin tragjik në Durrës, ku dy fëmijë humbën jetën.
Për fat të mirë, i mituri ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe pas trajtimit intensiv, pritet të kalojë në pavion për vijimin e mjekimit. Mjekët konfirmojnë se ai do të vazhdojë të ndiqet nga specialistët për dëmtimet e marra.
Aksidenti ndodhi në zonën e ish-Kënetës, ku automjeti i drejtuar nga 57-vjeçari me inicialet N.R., Nikoll Radaçi, goditi tre fëmijë. Fatkeqësisht dy prej tyre humbën jetën në vend, ndërsa 8-vjeçari mbeti i plagosur rëndë.
Sipas hetimeve, humbja e kontrollit të makinës, si pasojë e drejtimit në gjendje të dehur, dyshohet të ketë qenë shkaku i aksidentit. 57-vjeçari rezultoi i dehur pas testit të alkoolit, ndërsa policia konfirmoi se ai ka qenë një shofer problematik në rrugë, ku i është pezulluar 2 herë patenta për parakalim të gabuar dhe tejkalim shpejtësie.