Në një situatë të përsëritur, përfshihet nga flakët fusha e mbetjeve në periferi të qytetit të Vlorës. Zjarri që vijon prej mesdite ka shkaktuar një re të dendur tymi toksik, të përhapur në lagjet përreth e deri në Lungomare, duke u kthyer në shqetësim për banorët teksa Vlora është edhe në sezon turistik.
Për zjarrin masiv reagoi kryebashkiaku Ermal Dredha. Sipas tij, “kjo është zjarrvënie e qëllimshme” e papërgjegjshmëri njerëzore. Dredha konfirmoi se Bashkia dhe Policia e Shtetit kanë bërë kallëzim penal për hallkat që duhet të monitorojnë dhe kujdesen që ngjarje të tilla të mos përsëriten.
Si pasojë e një rrethane të përsëritur dhe të patolerueshme të zjarrëvënies së qëllimshme apo papërgjegjshmërisë njerëzore, në fushën e mbetjeve, bashkia në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka bërë kallëzim penal për të gjitha hallkat që duhet të monitorojnë dhe kujdesen që ngjarje të tilla të mos ndodhin më, përfshi edhe institucionet që varen nga bashkia.
Organet ligjzbatuese janë vënë në veprim për të dënuar cilindo që përpiqet të dëmtojë imazhin e qytetit në nisjen e sezonit turistik. Sidoqoftë, janë marrë masat e menjëhershme për shuarjen e zjarrit dhe mospërsëritjen e kësaj ngjarje të shëmtuar!
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa shkaqet e zjarrit ende nuk janë të qarta. Policia e Vlorës ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes së përsëritur vazhdimisht.