Politikë

Përfundon mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD, Berisha: Koha për një platformë antidiktatoriale, zgjedhjet ishin farsë!

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur mbi strategjinë e partisë për të ndërtuar një platformë antidiktatoriale dhe për të përballuar regjimin aktual, të cilin e cilësoi si represiv dhe të njohur ndërkombëtarisht për manipulimin e zgjedhjeve.

Berisha ftoi anëtarët e partisë që të zhvendosen ‘në orbitën e re’ dhe të përqendrohen në veprime të guximshme dhe të koordinuara.

Ai theksoi gjithashtu se partia nuk do të bojkotojë Parlamentin, duke shtuar se asgjë nuk mund të zëvendësojë protestën qytetare.

“Ju ftoj përsëri që secili prej nesh të zhvendoset në orbitë të re. Tani kemi qartësi që të ndërtojmë platformë antidiktatoriale, pasi karakteri represiv i regjimit, shëndërrimi i zgjedhjeve në farsë është tashmë e konfirmuar ndërkombëtarisht. Diktaturat autokratike mund të zgjasin shumë vite. Me votë ato nuk ikin. Platforma jonë bazohet tek ata njerëz që guxojnë. Tani është koha e përqendrimit total e provës me këtë regjim. Degët duhet të rezistojnë. A i kemi thënë ne armikut armik? Jo në masën e duhur. Ne nuk bojkotojmë Parlamentin. Asgjë se zvendëson protestën”, tha ai.

Në takimin me Këshillin Kombëtar, i pari në 7 muaj pas zgjedhjeve të 11 majit, Berisha bëri me dije axhendën vijuese të Partisë Demokratike. Ai kërkoi nga anëtarët angazhim maksimal me qytetarët sepse është koha e guximtarëve.

“Këto ditë që kanë mbetur, jeni të lutur, ju kërkoj të angazhoheni në takime intenisve me qytetarët. Është koha e guximtarëve, mos e harroni këtë!”

Berisha tha se qeveria nuk do t’u rezistojë protestuesve që do të mbushin sheshin në protestën kombëtare të 22 dhjetorit. Kjo qeveri nuk u reziston kurrë 3 apo 5 mijë burrave, grave, djemve që vendosin të zënë sheshin para kryeministrisë dhe të mos e lëshojnë atë derisa të ikë.” Kreu i PD tha se plani janë protestat e forta dhe të fuqishme për të rrëzuar Ramën. Berisha tha se Rama “i ka kohërat e numëruara” dhe s’ka asgjë që e shpëton nga PD.

“Agjenda jonë do të jetë protestë, protestë dhe vetëm protestë. Kudo, brenda e jashtë Shqipërisë, degët tona kudo që janë do të angazhohen në protesta të fuqishme kundër këtij regjimi, pranë organizatave ndërkombëtare. Edi Rama i ka kohërat e numëruara. Forcë në botë që ta shpëtojë nga Partia Demokratike dhe opozita shqiptare nuk ka.”

Ish-kandidati për deputet Aulon Kalaja, është shprehur në pjesën e takimit me dyer të mbyllura të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike se duhet të ngrihet një Komision Hetimor për mënyrën se si deputetët demokratë dhanë frmat për kandidaturën e Endri Shabanit për Avokat të Popullit.

Aulon Kalaja: Jam dakord me Lisandrin. SOROS duhet të shpallet non grata nga qeveria e ardhshme. Mendoj se PD duhet të shkojë më djathtas, duhet të jemi konservator, jo të themi që jemi parti e qendrës së djathtë. Është zgjedhur Avokat i Popullit një SOROS-it me firmat e PD. Të ngrihet Komision Hetimor për mënyrën sesi u morën firmat për Shabanin.

Në mbledhje nuk janë munguar as tensionet që janë shënuar kur anëtari Dritan Burgia, është larguar në mënyrë demonstrative nga salla.

Largimi i Burgias erdhi pasi u ndaluan diskutimet në këtë forum të lartë të PD-së, duke lejuar vetëm debate mbi protestat. Sipas burimeve, Burgia ka kundërshtuar këtë vendim, duke u shprehur:

“Ne vijmë të flasim në forume, ju thoni nuk lejohet të flasim për asgjë veç protestës”.