Aktualitet Politikë

Pezullimi i Ballukut, Rama: Vendimi i GJKKO-së, kambanë alarmi!

“Pezullimi i ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka lënë pa drejtues edhe dy institucione të rëndësishme të vendit, KESH-in e ARRSH-në, pas vendosjes në arrest shtëpie të drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe kreut të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama, në episodin e 9-të të podcast-it “Flasim”.

Këto masa, Rama i cilëson si pjesë të një fenomeni të përsëritur të përdorimit të paraburgimit e arrestit shtëpiak “pa gjyq”, duke iu referuar shqetësimeve të shprehura, sipas tij, edhe nga autoritete të Këshillit të Europës. Referuar kryeministrit, problemi kryesor nuk lidhet me vetë hetimet, por me efektet që krijohen mbi funksionimin e institucioneve.

Duke qenë se drejtuesit ndodhen nën masë sigurie, ARRSH-ja dhe KESH-i mbeten pa kokë, në një moment kur mbulimi i infrastrukturës rrugore dhe energjetike është thelbësor për vendin.

Rama theksoi se situata rëndohet më tej për shkak të pezullimit të një ministri nga ana e drejtësisë, një veprim që e quan “antidemokratik dhe alogjik, se sipas ligjit vetëm ministri ka autoritetin ekskluziv për emërimin e drejtuesve të këtyre institucioneve”.

Pezullimi e bën të pamundur zëvendësimin e tyre dhe krijon pasoja të pariparueshme.

Shefi i ekzekutivit ripërsëriti qëndrimin se ankimi në Gjykatën Kushtetuese nuk është betejë politike, por një përpjekje institucionale për të mbrojtur balancën e pushteteve, si dhe për të shmangur ndërhyrjen brutale në ekzekutiv.

Ka një devizë, ne e kemi ndjekur si postulat: Mos ndërhy në punët e drejtësisë! Por, nga ana tjetër, kjo ndërhyrje brutale në trupin e qeverisë është një kambanë alarmi, që duhet dëgjuar deri në fund, për të mos u përsëritur më kurrë. Dhe kështu, duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke rivendosur në pozicionet kushtetuese njëri-tjetrin, ndihmojmë Shqipërinë, ndihmojmë konsolidimin dhe modernizimin e shtetit shqiptar, vuri në dukje kryeministri Rama.