Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO, ku zhvillohet seanca e radhës e dosjes “Plumbi i artë”, vijoi dëshmia dhe ballafaqimi i të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani me të pandehurit e çështjes e avokatët e tyre mbrojtës. Dumani iu përgjigj pyetjeve lidhur me rrethanat e ngjarjeve të ndryshme.
Dumani dëshmoi se si ka drejtuar një skuadër vrasësish me pagesë në mbi një dekadë. 12 vrasje të kryera, atentate të ndryshme me armë e bomba, grabitje dhe krime të tjera, për llogari të organizatave të fuqishme kriminale, të paktën 8 të tilla, kryesisht në trekëndëshin Tiranë-Durrës-Elbasan e jo vetëm.
Seanca vijoi me pyetjet nga avokati i Fatos Gosës, Përparim Kulluri, i cili i kërkoi Dumanit të tregonte se si u arrestua herën e fundit nga policia dhe pse nuk e vrau Otin e Elbasanit, Elton Kila, në mars 2022, kur u plagos vetë në Elbasan dhe më pas u arrestua në Fier.
Sepse Oti nuk ishte në Elbasan. Më ka nxjerrë në pritë Sueli. Oti (Elton Kila) nuk ishte as në Elbasan, as në Shqipëri. Henrik Hoxha ishte me një “E Class” të marrë me qira në Fier (Suel Çela sipas hetimeve i kishte kërkuar Dumanit të vriste Kilën për 200 mijë euro). Henrik Hoxha komunikonte shpesh me Suel Çelën me “Matrix” dhe me program tjetër.
Unë me Suel Çelën kam folur vetëm në momentin e atentatit. Do të dalin të gjitha në “Matrix”. Nuk më ka bërë njeri presion për marrëveshjen me prokurorinë. Unë kam treguar, prokuroria nuk më ka premtuar gjë. Nuk kam marrë në këmbim. Me Talo Çelën jam njohur në fund të 2009-2010/ës, përmes Ilirjan Feçit. Me Talon i prisha marrëdhëniet sepse ai do vriste vëllanë tim. Agim Kabashin e kam pas komshi. Fatos Gosën e kam takuar dy herë.
E kam parë disa herë. Talo Çela më ka thënë që komunikonte me Fatos Gosën me telefon të kriptuar. Me Talo Çelën takimin e fundit e kemi bërë te shtëpia ime, më 2019-ën ose fillim i 2020-ës. Kam folur me të në telefon, kjo është në Sky Ecc. Ka qenë vera e 2020-ës. Që prej atëherë, nuk kam më komunikim. Ai me kërkoi të vrisja Erjon Alibejn për 2 milion euro. E kam takuar Fatos Gosën te “Pishat” në Peqin. Zonën nga Rrogozhina në Elbasan e njoh shumë mirë. Unë kam qenë me makinë të vogël, 2-3 minuta ndenja. Ika për Durrës pastaj. Fatosin e njihja edhe më përpara. Pas daljes time nga burgu u takuam për herë të parë.