Ankthi është pjesë e përditshmërisë moderne, një reagim natyror ndaj stresit dhe pasigurisë. Megjithatë, kur ndjesia e shqetësimit bëhet e përhershme dhe ndërhyn në jetën e përditshme, ajo mund të sinjalizojë një çrregullim ankthi që kërkon vëmendje dhe trajtim profesional. Stabiliteti psikologjik nënkupton aftësinë për t’u përshtatur me sfidat dhe ndryshimet e jetës. Kjo balancë dinamike nuk është e pandryshueshme, përjetojmë luhatje emocionale, por rëndësi ka sa shpejt arrijmë të rikthehemi në gjendje funksionale.
Është normale të ndihesh i pasigurt, i shqetësuar ose i tronditur pas një ngjarjeje stresuese. Por nëse ankthi vazhdon për javë apo muaj, nëse ndikon në gjumin, përqendrimin, punën ose marrëdhëniet, atëherë mund të flasim për çrregullim ankthi. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rreth 1 në 8 persona në botë përjeton çrregullime ankthi, ndërsa pas pandemisë këto raste janë rritur me mbi 25%. Në shumicën e rasteve, simptomat fillojnë si shqetësime të vogla emocionale, që nënvlerësohen ose shtypen, derisa shfaqen në formë trupore (somatike) dhimbje stomaku, presion në gjoks, dridhje dhe lodhje kronike.
Një nga shenjat e para të çrregullimit ankthioz është mendimi i tepërt dhe analizimi i vazhdueshëm i çdo situate. Mbingarkesa kognitive e mban trupin në gjendje alarmi të përhershëm. Në këtë gjendje, trupi prodhon më shumë kortizol (hormon stresi), gjë që ndikon negativisht në sistemin imunitar, tretje dhe gjumë. Terapistët theksojnë se shtypja e emocioneve mund të çojë në simptoma fizike ose shpërthime emocionale të papritura. Është më e shëndetshme të pranojmë frikën, mërzinë apo ankthin, t’i emërtojmë dhe t’i kuptojmë. Vetëm atëherë njeriu e di nga duhet të fillojë shërimin. Ankthi në vetvete nuk është armik, ai është sinjal se diçka duhet ndryshuar në mënyrën se si jetojmë, punojmë ose mendojmë.
Stresi nuk është gjithmonë negativ. Në sasi të moderuara, ai mund të jetë forcë shtytëse për zhvillim dhe përshtatje. Psikologët e quajnë këtë “stres konstruktiv”, që na ndihmon të mësojmë dhe të përballojmë situata të reja. Megjithatë, kur stresi bëhet kronik, trupi nuk arrin më të rikthehet në ekuilibër. Ajo që na lodh nuk është gjithmonë vetë stresi, por mënyra si e perceptojmë dhe e përjetojmë atë. Disa njerëz e shohin stresin si sfidë që i forcon, ndërsa të tjerët si rrezik që i shkatërron. Kjo ndryshon sipas strukturës psikologjike, përvojave të fëmijërisë dhe mënyrës si jemi mësuar të reagojmë ndaj jetës.