Turqia vë nën kontroll, 107 vatra zjarri. Ministri për Pyjet dhe Agrikulturën, Bekir Pakdemirli shkruan se në destinacionet turistike Antalia dhe Mugla vijojnë aktive 5 të tjera. Në Antalia, ato në qarqet Manavgat e Gundogmus ndërsa në Mugla: në Marmara, Koycegiz e Milas.
Për të ndihmuar helikopterët dhe zjarrfikësit në Mugla, policia turke shfrytëzoi pompa uji që zakonisht përdoren për të shpërndarë njerëzit gjatë protestave. Dje në Bodrum u evakuan turistë ndërsa zjarret aty, sot janë vënë nën kontroll. Nga e mërkura, në Turqi kanë humbur jetën 6 persona nga flakët.
Për shkak të temperaturave të larta në jug të Europës, zjarret kanë shpërthyer edhe në Itali e Greqi.
Në Itali, kryeministri Mario Draghi firmosi dekretin e mobilizimit kombëtar për Siçilinë që po digjet nga flakët. Mbrojtja Civile u vu në lëvizje dhe ka dërguar në ishull ekipe vullnetarësh nga Emilia Romagna, Friuli Venezia Giulia, Lombardia, Piemonte, Veneto, Trento e Bolzano.
Në Siçili, zona më e goditur rezulton Catania ku disa familje u detyruan të evakuohen. Zjarret i favorizojnë temperaturat e larta që do të vazhdojnë të mos pësojnë ulje deri më 6 gusht.