Në këtë periudhë të nxehtë vere, zjarret nuk janë vetëm problem shqiptar. Në Greqinë fqinje, 300 zjarrfikës, dy avionë dhe pesë helikopterë po vazhdojnë betejën për t’i shuar. Deri tani raportohet për 8 të lënduar e 20 shtëpi të shkatërruara.
Pesë fshatra u evakuan ndërsa të lënduarit u dërguan në spital pasi kanë marrë djegie dhe shfaqin probleme me frymëmarrjen që kur zjarret shpërthyen dje në afërsi të Patras, rreth 210 kilometra në perëndim të Athinës.
Për shkak të flakëve, autoritetet greke mbyllën për qarkullim një autostradë dhe një urë në rajon.
Sipas Agjencisë për Mbrojtjen Civile, gjatë 24 orëve të fundit shpërthyen 58 zjarre në pyje por shumica u vunë menjëherë nën kontroll.
Greqia përballet me zjarre çdo verë ndërsa ekspertët kanë paralajmëruar se ngrohja globale rrit si frekuencën, ashtu edhe intensitetin e tyre. Në dy ditët e fundit, termometri shënon nga 42 në 44 gradë celsius. Ditë më parë, shpërtheu një zjarr në malin Penteli në afërsi të Athinës por fatmirëisht pa dëme në njerëz.
Në të njëjtën zonë, nga një zjarr në korrik të vitit 2018, humbën jetën 102 persona.