Aktualitet

Tiranë, banorët e Unazës së Re zgjerojnë protestën për dëmshpërblimet!

Përveçse para Kuvendit, banorë të katër lagjeve të Tiranës që preken nga ndërtimi i Unazës së Re, sot protestuan edhe para selive të ambasadave të Shteteve të Bashkuara e të Bashkimit Europian. Protestuesit, disa me fëmijë me vete e nga zonat e “5 majit”, Laprakës, Paskuqanit dhe Kodrës së Priftit kërkojnë dëmshpërblim të plotë për banesat e t’iu tregohet me saktësi se kur do t’iu jepen në dorë çelësat e shtëpive të reja. Ndërkaq, shprehin shqetësimin se nuk kanë ku të shkojnë e madje bëjnë paralajmërime të forta deri në vetëflijim, si në rastin e një të moshuari:

Shtëpia ime do të dëmtohet. Jam i sëmurë me dializë, gruan e kam pa pension. Nuk di ku do ikim,  jam i vrarë nga jeta ime. Po na morën shtëpinë do vras edhe gruan.. s’na ka mbetur gjë! 30 vjet e kam atë shtëpi, sot ai thotë dil përjashta!

Protestuesit kërkojnë ndihmën e ambasadores amerikane në vendin tonë:

Kërkojmë nga ambasadorja Kim që të ketë reflektim nga parlamentarët, që bëjnë ligje të gabuara. Të na trajtojnë njëherë të vetme si shtetas amerikanë në Shqipëri! Zonja Kim, kërkojmë dinjitet, kërkojmë të jemi të denjë edhe ne të themi “O sa mirë me qenë shqiptar” dhe jo “Sa mirë me qenë amerikan!”. Kërkojmë ndihmën tuaj zonjë, kërkojmë sërish ndihmën tuaj!

Duke vënë në dukje se të gjithëve iu është dhënë ajo që iu takon, kryeministri Rama apelon për durim! Në një përgjigje në “Facebook”, shefi i qeverisë shprehet:

Unë besoj se tek “5 Maji”, të gjithëve u është dhënë haku që u takon e disave madje edhe më shume sa u takon, prandaj tani duhet vetëm durim dhe besim, sepse njësoj siç po ndodh me të tërë ata që po përfitojnë nga Rindërtimi, do ndodhë edhe me ju atje, ndërsa atë pjesën e votimit mos e thuaj te paktën, jo për mua, po për tërë ata që u vranë, u burgosën, u privuan nga e drejta e votës.

Kur më herët protestuesit u mblodhën para Parlamentit, me ta u bashkuan deputetët që mbështesin Berishën: Flamur Noka, Albana Vokshi e Belind Këlliçi. Një reagim pati sot edhe nga ish-kryeministri Berisha, i cili hodhi akuza për qeverinë.

Një territor i jepet disa kompanive për t’u zhvilluar. Këtu është dora e zezë e vjedhjes së qeverisë!