Bota

Presidenti rus Putin sugjeron bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën!

Presidenti rus, Vladimir Putin ka sugjeruar bisedime të drejtpërdrejta me Ukrainën në lidhje me zgjatjen e një moratoriumi për sulmet ndaj objektivave të caktuara.

Rusia ka vënë në dukje se Ukraina po përpiqet të marrë iniciativën për çështjen e armëpushimit, duke kërkuar një zgjatje ose përjashtimin e bombardimit të objektivave të tjera, u shpreh Putin dje në mbrëmje, duke folur me gazetarë rusë. Ne duhet të mendojmë për këtë.

Ndërsa shprehu skepticizëm ndaj propozimit të Kievit për t’u përmbajtur nga sulmet ndaj objekteve civile, ai vuri në dukje se ishte i gatshëm t’i adresonte çështje të tilla në bisedimet dypalëshe.

Putin deklaroi se bisedimet dypalëshe në këtë rast nënkuptonin bisedime drejtpërdrejtë me palën ukrainase, siç theksoi më vonë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Deri tani, negociatat për një fund të mundshëm të luftës së Rusisë në Ukrainë janë zhvilluar vetëm në mënyrë indirekte midis Moskës dhe Kievit, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si ndërmjetëse kohët e fundit.

Negociatorët nga SHBA-të, Ukraina, Britania e Madhe dhe Franca do të takohen nesër në Londër për një raund tjetër bisedimesh për përfundimin e luftës, deklaroi presidenti Volodymyr Zelensky.

Takimi vjen pas konsultimeve javën e kaluar, në Paris ku sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe i dërguari i Posaçëm, Steve Witkoff u takuan me politikanët europianë, përfshirë ministrin e Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha. Administrata Trump ka bërë presion për një armëpushim në konfliktin 3-vjeçar duke rifilluar bisedimet dypalëshe me Rusinë mes frikës europiane se Ukraina mund të detyrohet të bëjë lëshime të rëndësishme për të ndaluar luftimet.

Ndërkohë, Franca dhe Britania e Madhe kanë drejtuar të ashtuquajturin “Koalicioni i të gatshmëve” që synon të sigurojë një armëpushim të mundshëm dhe forcimin e Ukrainës. Presidenti amerikan, Donald Trump tha se planifikon të diskutojë luftën në Ukrainë dhe përpjekjet e ndërmjetësimit në tre ditët e ardhshme.

Deklarata e tij erdhi në festën e Pashkës në Shtëpinë e Bardhë, pasi ai u pyet nëse Amerika kishte një propozim ku i kërkonte Ukrainës të njihte Krimenë si pjesë të Rusisë. Rusia pushtoi gadishullin ukrainas të Detit të Zi në vitin 2014 dhe më pas e aneksoi në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Kështu që unë do t’ju jap një detaj të plotë gjatë tre ditëve të ardhshme. Por, ne patëm takime shumë të mira për Ukrainën, Rusinë, shtoi Trump pa dhënë detaje të mëtejshme.