Një studim i gjerë shkencor ka zbuluar se disa probleme të zakonshme me tretjen, si kapsllëku dhe vështirësia në gëlltitje, mund të dyfishojnë rrezikun për të zhvilluar sëmundjen e Parkinsonit brenda disa viteve.
Lidhja mes sistemit nervor dhe traktit gastrointestinal është vënë në dukje prej kohësh në sëmundje si Alzheimeri dhe goditjet në tru, por ky hulumtim i fundit hedh dritë mbi ndikimin potencial të çrregullimeve të zorrëve në fillimin e Parkinsonit, një sëmundje neurodegjenerative që prek miliona njerëz në mbarë botën.
Ky është studimi i parë që jep prova të qarta vëzhguese se çrregullimet e zorrëve mund të jenë shenja të hershme paralajmëruese të Parkinsonit
-thanë autorët.
Studimi analizoi të dhënat shëndetësore të më shumë se 67 mijë individëve në SHBA, përfshirë 24 mijë pacientë me Parkinson, si dhe mijëra të tjerë me Alzheimer ose sëmundje cerebrovaskulare.
Shkencëtarët shqyrtuan 18 lloje të ndryshme të çrregullimeve të zorrëve, për të identifikuar çdo lidhje të mundshme me zhvillimin e këtyre sëmundjeve neurologjike.
Rezultatet ishin të qarta: pacientët që kishin përjetuar kapsllëk, vështirësi në gëlltitje apo gastroparezë (një çrregullim ku lëvizja e ushqimit nga stomaku në zorrë është e ngadaltë), kishin më shumë se dyfishin e rrezikut për të zhvilluar Parkinsonin në pesë vitet në vijim.
Në të kundërt, çrregullimet inflamatore të zorrëve nuk treguan ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me këtë sëmundje.
Një tjetër zbulim interesant ishte se personat që kishin hequr apendesitin rezultonin me një rrezik më të ulët për Parkinsonin, çka mund të sugjerojë një rol të mundshëm të florës bakteriale apo funksioneve të tjera imunitare të këtij organi në zhvillimin e sëmundjes.
Shkencëtarët theksuan rëndësinë e vëzhgimit të hershëm të problemeve gastrointestinale, veçanërisht te individët me faktorë të tjerë rreziku për Parkinson, dhe kërkuan studime të mëtejshme për të eksploruar më tej lidhjen mes zorrëve dhe trurit.
Ky zbulim mund të hapë rrugë të reja për diagnostikimin e hershëm dhe ndërhyrjen më të shpejtë ndaj Parkinsonit, duke rritur mundësinë për menaxhim më efektiv të kësaj sëmundjeje.