Aktualitet

Profesionistët e rinj në bujqësi, bursa doktorature në Europë!

Falë bashkëpunimit me qeverinë e Gjermanisë e kontributin e Agjencisë Gjermane të Ndihmës sot hapet një proces doktoraturash i një cilësie të garantuar. Kryeministri Rama ishte sot i pranishëm në mjediset e Universitetit Bujqësor të Tiranës, në kuadër të prezantimit të programit të doktoraturave në bujqësi, mundësuar nga projekti “Zhvillimi i Qëndrueshëm Rural”. Rama  u ndal në bashkëpunimin shumë të ngushtë mes Qeverisë dhe Universitetit Bujqësor.

Sot është një ditë e veçantë për universitetin, sepse hapet një proces doktoraturash i një cilësie të garantuar. Do ju jepet mundësia 30 individëve me vlerë të spikatur në rrugën e tyre, që të zhvillojnë një doktoraturë e cila të ketë vulën e universiteteve më të mira të fushës, në Gjermani, apo vende të tjera të BE-së. Kjo është rruga jonë, ku duhet të ecim dhe ky është modeli që ne duhet të shtrijmë në të gjithë sistemin për doktoraturat.

Ne nuk duhet të japim doktoratura lokale. Ne nuk duhet të kemi, në të ardhmen tonë jo shumë të largët, universitete lokale. Ne duhet të kemi një sistem të lartë arsimor të ndërkombëtarizuar dhe një botë universitare të integruar në sistemin europian.

Shefi i qeverisë u shpreh se “në kontekstin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, zgjerimi i partneriteteve me universitetet jashtë vendit janë në fokus të Qeverisë, si nisma të domosdoshme që synojnë, hapjen ndaj përvojave të reja europiane e më gjerë”. Më vjen shumë mirë që ndodh kjo në këtë universitet dhe që ky universitet bëhet një shembull që ne do të bëjmë çmos të rrezatojë në sistemin tonë arsimor,  sepse ky universitet është i rëndësishëm për këtë vend dhe të ardhmen e këtij vendi.

Më vjen shumë mirë që ne sot jemi në një fazë të avancuar që po strukturohet me një nga universitetet më të vjetër e më të mirë të botës të zhvillimit rural, me Universitetin e Vjenës, me të cilin synimi ynë i përbashkët  me rektorin është që të ndërtojmë një marrëdhënie që hap pas hapi të kthehet në një sinergji të plotë.

Përzgjedhja e 30 fituesve, pas hapjes së thirrjes në fund të janarit, do të bëhet nga një komision i posaçëm në bazë të kritereve të dakordësuara ndërmjet GIZ-it, Universitetit Bujqësor dhe Ministrisë së Bujqësisë e Zhvillimit Rural.