Aktualitet

Prokuroria e Përgjithshme mbyll verifikimin: Gjyqtarja Irena Gjoka e dënuar në Greqi/Ia kalon KLGJ-së!

Pas dy vitesh, Prokuroria e Përgjithshme mbylli verifikimin për gjyqtaren e posaçme, Irena Gjoka, e cila rezulton e dënuar në Greqi në vitin 2005 për falsifikim vize, dënim që nuk e deklaroi në Formularin e Dekriminalizimit. Ky është përfundimi i Prokurorisë së Përgjithshme, që rezultatin e verifikimit ia kaloi Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ.

Tashmë, Këshilli duhet të vendosë, si organi që vlerëson nëse Gjoka është ose jo në kushtet e ndalimit si gjyqtare,  sipas parashikimeve të Ligjit të Dekriminalizimit.

Prokuroria e Përgjithshme i kaloi KLGJ-së vendimin autentik e me të, edhe vendimin e autoriteteve greke lidhur me arkivimin, për shkak të mos ekzekutimit të këtij dënimi.

Reagimi i Prokurorisë së Përgjithshme: 

Mbi bazën e kërkeses së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor, më datë 08.05.2024 në Sektorin e Dekriminalizimit të Prokurorisë së Përgjitshme është regjistruar me nr.40 procesi per verifikimin e thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit date 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka(Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, më datë 19.01.2026, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur miratimin e rezultateve të verifikimit, vendim të cilin po këtë datë ja ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ përgjegjës për verifikimin e kushteve të ndalimit në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe Vendimit të Kuvendit nr.17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.