Aktualitet Politikë

Berisha: Irena me 5 mbiemra nuk duhej të ishte më gjyqtare!

Në një deklaratë pas daljes nga SPAK-u ku u paraqit në zbatim të detyrimit për paraqitje lidhur me çështjen “Partizani”, Sali Berisha tha sot se “ky është shteti i Irenës (Gjoka) me 5 mbiemra që vazhdon detyrën në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit”.

Kryetari demokrat theksoi se është “bërë kërkesë pranë KLGJ-së për konstatimin e mbarimit të mandatit të Irena Gjokës pasi kur ka marrë mandatin nuk kishte kriteret e përcaktuara në ligj, për të qenë gjykatëse pasi ka patur një vendim penal që kishte marrë formë të prerë”.

Konkretisht, Kushtetuta në nenin 6/1, parashikon se një person, integriteti publik i të cilit është cënuar, nuk mund të vijojë funksionet në organet kushtetuese. Ndalohet, thotë neni, zgjedhja, emërimi apo ushtrimi i një funksioni publik në një nga organet e parashikuara në këtë Kushtetutë, ose të krijuara me ligj, pavarësisht përcaktimeve të bëra në dispozita të tjera.

Nëse verifikohen rrethana që cënojnë integritetin publik të funksionarit publik, sipas kushteve të miratuara me ligj, të miratuara me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Ky pra është përcaktimi i Kushtetutës, ligji i miratuar me tre të pestat në vitin 2016, ligji 96 i vitit 2016, parashikon në nenin 28/D për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve se nuk mund të ketë statusin e magjistratit një shtetase që është dënuar me vendim penal të formës së prerë, në rastin konkret pra, Irena Gjoka.

Po ky ligj parashikon se gjyqtarët e Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku ishte gjykatëse Irena Gjoka, do të vazhdonin të qëndronin në pozicionin e tyre, me përjashtim të rastit kur kishte shkaqe për mbarimin e statusit të magjistratit.

A e kuptoni pra miqtë e mi se kjo delinkuente që fshihet nga Altin Troplini, nga prokurori i përgjithshëm, nga kryeinspektori i përgjithshëm që thotë se nuk na kanë njoftuar, por duket se punonjësit e tij ia kanë fshehur dokumentet, pra kjo qëndron në detyrë duke shkelmuar Kushtetutën e vendit, duke shkelmuar ligjet me tre të pestat, që i diktojnë asaj largimin e menjëhershëm.

Kreu demokrat theksoi:

Sipas ligjit të Dekriminalizimit, të miratuar me tre të pestat, fshehja, refuzimi për të deklaruar dënimet qoftë edhe jo të formës së prerë-Irena me 5 mbiemra e ka të formës së prerë- shkakton ndërprerjen e menjëhershme të funksionit të gjyqtarit dhe Irena Gjoka nuk ka deklaruar një gjykim, një dënim dhe dy dëbime, por mbrohet në mënyrë antikushtetuese, antiligjore nga një bashkëpunëtor krimi që quhet Altin Troplini.