Policia e Shkodrës arrestoi një shtetase braziliane me akuzën për prostitucion, si dhe një 28-vjeçar për organizim të lojërave të fatit, teksa procedoi penalisht dhe administratoren e apartamentit ku ushtrohej aktiviteti i paligjshëm.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Seksionin e Mbështetjes Operacionale, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, bazuar në informacionet e sigurura në rrugë operative, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Rent house”.
Si rezultat i këtij operacioni u zbulua një apartament në rrugën “Kardinal Mikel Koliqi”, ku ushtrohej prostitucion.
Në kuadër të operacionit u arrestuan në ambientet e apartamentit, konkretisht:
– shtetasja braziliane D.G., 23 vjeçe, e cila kishte marrë me qira apartamentin dhe e kishte përshtatur për ushtrimin e prostitucionit;
– H.H., 28 vjeç. Gjatë veprimeve procedurale u dokumentua aktiviteti i lojrave të fatit.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen B. B., 34 vjeçe, administratorja e apartamentit, për veprën penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
Policia ka sekuestruar edhe një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga prostitucioni dhe 3 celularë.
Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e rastit dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Shkodër, për veprime të mëtejshme.