Mijëra qytetarë pasi u mblodhën në sheshin “Skënderbej” në ditën e shtatë të tubimeve masive, duke i paraprirë asaj që është cilësuar si protesta më e madhe e organizuar deri më tani kundër qeverisë, nisën marshimin drejt Kryeministrisë. Nga të gjitha anët e qytetit, protestuesit po marshojnë me pankarta në duar, flamuj kuqezi dhe thirrje të forta drejtuar politikës. Atmosfera në rrugë është e ndezur, ndërsa qytetarët kërkojnë largimin e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Ky tubim pritet të jetë masiv dhe do të shënojë kulmin e revoltës qytetare që ka përfshirë vendin dhe diasporën gjatë ditëve të fundit. Kërkesat mbeten të qarta: anulimi i projekteve të dyshimta, mbrojtja e pasurive kombëtare dhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatorë të këtij tubimi masiv kanë bërë të qartë se kjo revoltë i ka tejkaluar kufijtë e një kauze të vetme. “Nuk jemi këtu vetëm për Zvërnecin”, ka qenë motoja e lëshuar nga organizatorët, duke nënvizuar se beteja e sotme është kundër një modeli të tërë qeverisës që po cenon interesat kombëtare dhe pronat e shqiptarëve.
Vala e protestave të diasporës shqiptare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka mbërritur edhe në Firence të Italisë.
Qindra shqiptarë janë mbledhur në qytetin italian, duke iu bashkuar organizimeve masive që po ndodhin paralelisht në shumë metropole të tjera të botës.
Me flamuj kuqezi dhe pankarta me mesazhe të forta, shqiptarët në Firence kanë kërkuar rrëzimin e qeverisë dhe dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Edi Rama.
Protestuesit kanë ngritur zërin kundër projekteve abuzive, duke kërkuar llogaridhënie dhe drejtësi për shkatërrimin e pasurive kombëtare në Shqipëri.
Ky tubim në Firence vjen në një moment mjaft të ndezur, pasi vërehet një koordinim i gjerë i diasporës në rang global, me protesta të ngjashme që po zhvillohen nga Uashingtoni dhe Londra, e deri në Berlin, Vjenë e Milano, ndërkohë që në Tiranë revolta qytetare ka zbritur masivisht në shesh.