Sean “Diddy” Combs po përballet me akuza për sulm seksual nga dy gra, të cilat kanë paraqitur paditë e tyre anonime këtë javë në Gjykatën e Lartë të New York-ut.
Sipas padive, ngjarjet ndodhën gjatë viteve 1990, kur të dy gratë thonë se Diddy i kishte mbyllur ato në klubin “Limelight” dhe më pas i kishte çuar në një apartament në hotelin “Trump International”.
Në padinë e parë, një prej grave pretendon se është abuzuar seksualisht disa herë nga Diddy, përfshirë një incident në Kaliforni dhe një tjetër në një festë seksuale grupore që ai kishte organizuar në “Limelight”.
Ajo thotë se, kur përpiqej të largohej, ishte urdhëruar të qëndronte dhe më pas u dërgua në një “penthouse” të hotelit Trump, ku u drogua dhe u detyrua të merrte pjesë në aktivitete seksuale për disa orë.
Padia e dytë përmban akuza të ngjashme, ku gruaja thotë se, pas një feste seksuale grupore në “Limelight”, ajo u përball me një konfrontim fizik me rojet e sigurisë të Diddy-t, pasi tentoi të largohej.
Ajo pretendon se ishte dërguar në një dhomë në hotelin Trump, ku më pas është abuzuar seksualisht nga një nga rojet, ndërsa Diddy ishte i pranishëm gjatë ngjarjeve.
Sipas padisë, ajo dhe shoqja e saj janë detyruar të përdorin droga dhe të angazhohen në aktivitete seksuale që nuk dëshironin të merrnin pjesë, por Diddy i kishte bërë të qarta pasojat nëse do të përpiqeshin të largoheshin.
Combs ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si të pabaza. Përfaqësuesit e tij kanë theksuar se ai ka besim në procesin ligjor dhe janë të sigurt se do të dalë i pafajshëm. Ata kanë shtuar se Diddy nuk ka abuzuar seksualisht asnjë individ dhe janë të bindur se e vërteta do të dalë në gjykatë.