Aktorja e njohur Kim Cattrall ka zbuluar së fundmi se roli i saj ikonik si Samantha Jones në serialin e famshëm “Sex and the City” nuk ishte zgjedhja e saj e parë.
Në një intervistë për “The Times”, 69-vjeçarja tregoi se e kishte refuzuar rolin plot katër herë, përpara se të vendoste ta pranonte përfundimisht.
Cattrall pranoi se, kur bëri audicionin në moshën 41-vjeçare, kishte dyshime për personazhin.
Më dukej i tepërt, nuk isha e bindur që publiku do ta pranonte idenë e një gruaje mbi 40 vjeç që mund të ishte seksi
-tha ajo, duke shtuar se ky mendim ishte pasojë e një lloj diskriminimi ndaj moshës që ia kishte imponuar vetes.
Por me kalimin e kohës perceptimi ndryshoi. 40 vjeç u bë seksi. U bë: ‘Po, duam më shumë se kaq’
-shtoi aktorja me humor.
Duke folur për Samanthën, Cattrall theksoi se ajo nuk ishte thjesht një grua e fiksuar pas jetës dashurore, siç shpesh është interpretuar.
Ajo nuk ishte nimfomane – disa mund të kenë menduar kështu. Thjesht shijonte ‘pjatën kryesore’ kur të tjerët mjaftoheshin me diçka të lehtë. Dhe gjithmonë sipas kushteve të saj, këtë e kërkova që nga fillimi
Megjithatë, aktorja bëri të qartë se në jetën reale është shumë ndryshe nga Samantha.
Jam krejt e kundërta e saj në shumë aspekte. Në thelb jam monogame dhe më e qetë

Edhe pse disa fansa kanë vështirësi ta pranojnë distancimin e saj nga seriali, Cattrall e sheh me dashuri rolin e Samanthës.
Krijova një personazh të jashtëzakonshëm që e desha dhe i dhashë shumë dashuri. Nëse më kujtojnë vetëm për këtë, është absolutisht në rregull