Lifestyle

Pse vitet duken sikur kalojnë më shpejt me moshën? Ekspertët shpjegojnë fenomenin dhe japin një zgjidhje të thjeshtë!

Ndërsa mosha rritet, shumë njerëz kanë ndjesinë se vitet kalojnë gjithnjë e më shpejt. Sipas ekspertëve të shëndetit mendor, ky perceptim ndryshon ndjeshëm me kalimin e kohës dhe lidhet me mënyrën se si truri ynë e përjeton dhe e përpunon kohën.

Alicea Ardito, një terapiste nga Virxhinia që punon me të moshuarit, thotë se një nga temat më të shpeshta që dëgjon gjatë seancave është pikërisht ndjesia se jeta ka kaluar shumë shpejt.

Në një intervistë për HuffPost, ajo theksoi se klientët e saj shpesh shprehen se vitet “kanë kaluar sa hap e mbyll sytë”.

Sipas saj, një nga arsyet kryesore lidhet me mënyrën se si e perceptojmë kohën në raport me moshën. Ndërsa rritemi dhe angazhimet bëhen më të shumta, njësitë kohore duken më të shkurtra.

Për shembull, për një fëmijë 8-vjeçar një vit përbën një pjesë të madhe të jetës së tij, ndërsa për një person 80-vjeçar, një vit përfaqëson një pjesë shumë më të vogël të përvojës së jetuar.

Ekspertët theksojnë gjithashtu se monotonia ndikon drejtpërdrejt në perceptimin e kohës. Kur ditët janë të ngjashme dhe pa ndryshime, jeta duket më e shkurtër.

Në të kundërt, kur përjetojmë eksperienca të reja dhe krijojmë kujtime të ndryshme, koha perceptohet si më e gjatë dhe më e pasur.

Specialistët sugjerojnë se kërkimi i risive është një mënyrë efektive për të ndryshuar këtë ndjesi. Aktivitetet e reja, përvojat e ndryshme apo edhe ndryshimet e vogla në rutinën e përditshme ndihmojnë në krijimin e kujtimeve më të forta dhe rrisin ndjesinë e përmbushjes.

Përfshirja në aktivitete të reja mund të jetë diçka e madhe, si udhëtimi në një vend të panjohur, por edhe ndryshime të vogla në përditshmëri, si zhvillimi i një hobi të ri apo eksplorimi i interesave personale.

Sipas ekspertëve, sa më shumë përvoja të reja të përjetojë një individ gjatë jetës, aq më e pasur dhe më e gjatë do të duket ajo në perceptimin e tij, duke ndikuar pozitivisht edhe në mirëqenien emocionale në vitet e mëvonshme.