Health & Beauty

Pse zemra preket shumë rrallë nga kanceri? Ekspertët japin arsyet…

Kanceri mbetet një nga sëmundjet me vdekshmërinë më të lartë në botë, dhe sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri çdo vit regjistrohen rreth 5,500 raste të reja. Shifrat tregojnë se kanceri i mushkërive dhe ai i gjirit janë më të përhapurit, ndërsa meshkujt rezultojnë katër herë më të prekur se femrat.

Kjo sëmundje godet një gamë të gjerë organesh – nga gjiri, mushkëritë, koka, lëkura, zorra e trashë e deri te veshkat – por zemra mbetet një nga organet që rrallëherë zhvillon tumore malinje.

Pse ndodh kjo?

Sipas ekspertëve, ndonëse zemra mund të zhvillojë masa tumorale, në shumicën e rasteve ato janë beninje (jo kancerogjene). Arsyeja lidhet me mënyrën se si funksionojnë qelizat.

Çdo qelizë e trupit ka potencial për t’u kthyer në kancerogjene përmes mutacioneve në ADN. Këto mutacione ndodhin zakonisht gjatë procesit të ndarjes dhe shumimit të qelizave.

Për këtë arsye, organet ku qelizat rigjenerohen shpesh – si gjiri, zorra e trashë dhe lëkura – janë më të rrezikuara nga zhvillimi i kancerit.

Në rastin e zemrës, qelizat kardiake nuk ndahen dhe nuk rigjenerohen rregullisht, përveç situatave kur ndodh ndonjë dëmtim i rëndë. Kjo do të thotë se ato kanë shumë më pak mundësi për të kaluar në mutacione, duke e bërë kancerin e zemrës një fenomen jashtëzakonisht të rrallë.

Përveç kësaj, zemra nuk është e ekspozuar ndaj faktorëve të shumtë kancerogjenë të jashtëm apo hormonalë, siç ndodh me organet e tjera.

Ky “mburojë natyrore” e mbron atë nga zhvillimi i sëmundjes, ndryshe nga indet që përtërihen vazhdimisht.