Sezoni i tretë dhe përfundimtar i serialit më të ndjekur në historinë e Netflix, “Squid Game”, është duke u afruar me hapa të shpejtë. Një trailer i ri, i publikuar së fundmi, ofron pamjet e para të asaj që pritet të jetë kulmi dramatik i këtij fenomeni global. Vetëm brenda javës së parë të publikimit, sezoni i dytë theu rekordin për më shumë shikime në javën e premierës dhe brenda tre ditëve hyri në listën e serialeve më të ndjekura në Netflix duke u pozicionuar në vendin e dytë me 192.6 milionë shikime menjëherë pas sezonit të parë që numëron 265.2 milionë. Madje, sezoni i dytë u rendit si sezoni i tretë më i shikuar ndonjëherë në historinë e Netflix.
Sezoni i tretë do të vazhdojë aty ku na la sezoni i dytë, me një fund tronditës. Gi-hun (Lojtari 456) kthehet përsëri në zemër të lojërave, tashmë me një qëllim të qartë; t’i shkatërrojë ato përgjithmonë. I ndjekur nga kujtimet e tradhtisë dhe humbjes së mikut të tij më të afërt, Jung-bae (Lojtari 390), ai përballet me rreziqe të reja përfshirë edhe rikthimin e Front Man-t, i cili kishte infiltruar kryengritjen duke u maskuar si Lojtari 001.
Emra të njohur rikthehen në skenë; Front Man, detektivi Hwang Jun-ho, si dhe lojtarët Myung-gi (Lojtari 333), Dae-ho (388), Hyun-ju (120), Yong-sik (007), Geum-ja (149), Jun-hee (222), Min-su (125), Nam-gyu (124) dhe roja rozë No-eul. Teksa tensioni rritet, fundi i trailerit tingëllon me një zë misterioz; të qarat e një foshnje. Sezoni i tretë i “Squid Game” premton të sjellë një përmbyllje intensive dhe emocionuese të një prej serialeve më të diskutuar të dekadës.