Aktualitet Politikë

Qeveria miraton Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2022-2024/ Xhaçka: S’kemi ende rezolutë për Ukrainën

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot Planin Kombëtar për Integrimin Evropian 2022 – 2024.

Ky dokument përbën një nga instrumentet më të rëndësishme për sa i përket planifikimit dhe monitorimit të rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit dhe nga procesi i anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Plani ka një objektiv të dyfishtë. Së pari, ai do të shërbejë si instrument i planifikimit të plotësimit të detyrimeve të lindura nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit që përcakton detyrimin e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin e Bashkimit Evropian në përputhje me afatet e përcaktuara nga kjo Marrëveshje.

Së dyti, ky plan, bazuar në marrjen e statusit të vendit kandidat në qershor 2014, ka si pikësynim final përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me acquis e Bashkimit Evropian si një nga kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ky është një vit vërtet i rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, kur presim që Bashkimi Europian të gjejë rrugën për t’i tejkaluar ngërçet që e bënë të pamundur që Shqipëria të merrte hapjen e negociatave që i ishte premtuar gjatë vitit 2021.

Ne si Shqipëri nga ana tjetër, kemi bërë e do të vazhdojmë të bëjmë çdo gjë që na takon të bëjmë e që kemi marrë përsipër për të çuar përpara europianizimin e vendit duke shpresuar që të njëjtën gjë do të bëjë edhe Bashkimi Europian.

Pr/rezoluta për Ukrainën

Shqipëria është duke bashkëpunuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zgjidhjen e krizës me Ukrainës dhe Rusisë. Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka u pyet në lidhje me pr/rezolutën, për të cilën ajo u shpreh se vendi ynë do të jetë bashkëhartues.

Duke folur për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, Xhaçka u shpreh se vendi ynë është i besueshëm dhe që do të luajë një rol të rëndësishëm.

Pyetje: Pritet me interes se çfarë do të përmbajë  pr/rezoluta që do të hartoje Shqipëria sa i përket konfliktit ruso-ukrainas duke pasur parasysh që ne jemi një vend jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit

Xhaçka: Nuk jemi në atë fazë, nuk ka pr/rezoluta të draftuara që pastaj të marrin miratimin  apo përkrahjen e vendeve të tjera. Por jemi në fazën kur kemi dakordësuar një bashkëpunim të ngushtë me SHBA ku do të jemi bashkëhartues duke thelluar një marrëdhënie strategjike, por edhe duke i dhënë Shqipërisë prestigjin dhe vizibilitetin për atë që është, një vend konstruktiv dhe i besueshëm dhe që do të luajë një rol të rëndësishëm në Këshillin e Sigurimit në mandatin e saj.