Bota

Raketat ruse godasin një spital në Ukrainë, raportohet për viktima!

Të paktën një person humbi jetën dhe 15 të tjerë u plagosën në një sulm me raketa në një spital në Dnipro, në lindje të Ukrainës. Presidenti  Volodymyr Zelensky konfirmoi sulmin dhe tha se autoritetet po punojnë për të shpëtuar të tjerët nga spitali. Në Twitter, Zelensky postoi një video të ndërtesës së dëmtuar që tregonte zjarrfikësit në vendngjarje dhe tymin që dilte nga ndërtesa.

Vetëm një shtet djallëzor mund të luftojë kundër klinikave. Nuk mund të ketë asnjë qëllim ushtarak për këtë. Eshtë terror i pastër rus. Rusia ka zgjedhur rrugën e së keqes me vullnetin e saj dhe nuk do ta braktisë vetë këtë rrugë. Ne duhet ta mposhtim terrorin!

Gjatë natës, Rusia nisi një tjetër valë sulmesh ajrore kundër Ukrainës, por shumica e raketave dhe dronëve u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ukrainase, siç thanë sot zyrtarët ushtarakë e rajonalë ukrainas.

Në të gjithë territorin e Ukrainës, prej disa orësh u dëgjuan alarmet për sulme ajrore pasi në Kiev e disa rajone të tjera u kryen sulme ajrore.  Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës njoftoi:

Ushtria ruse lëshoi 17 raketa dhe 31 dronë sulmues të prodhuar nga Irani në objektiva civile dhe ushtarake, por mbrojtja ajrore ukrainase arriti të rrëzojë 10 raketa dhe 23 dronë.

Dëmet që u shkaktuan nga rënia e mbetjeve të shpërthimeve u raportuan në Obolon e Shevçenkiski të Kievit, por Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit tha se nuk kishte raportime për të lënduar apo viktima gjatë sulmit tre-orësh në kryeqytet që filloi rreth orës 03:00 të mëngjesit. Ky ishte sulmi i 13-të i tillë në kryeqytetin ukrainas këtë muaj.

Rajonet e Harkivit e Dnipropetrovskut ishin gjithashtu në shënjestër të sulmeve ruse, siç raportuan zyrtarët lokalë.

Një burrë u plagos në rajonin Dnipropetrovsk gjatë asaj që guvernatori rajonal Serhiy Lysak e quajti “natë jashtëzakonisht e vështirë” e sulmeve ruse që shkaktuan dëme të konsiderueshme në infrastrukturën civile.