Aktualitet

Rama në “Al Jazeera”: Investimi në Zvërnec bekim për vendin!

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se projekti i resortit luksoz në Zvërnec, i lidhur me Jared Kushner-in do të vazhdojë, pavarësisht protestave dhe polemikave të ditëve të fundit.

Në një intervistë për “Al Jazeera”-n, këtë zhvillim e cilësoi si “bekim për vendin”, duke theksuar se investimi prej 4 miliardë eurosh është një mundësi e jashtëzakonshme për ekonominë shqiptare.

Rama theksoi se projekti nuk ka qenë kurrë në diskutim për t’u anuluar dhe se realizimi i tij është i sigurt. Ndërkaq, nënvizoi se një investim i tillë, në një vend me një Prodhim të Brendshëm Bruto prej rreth 27 miliardë eurosh, ka peshë të madhe.

Ky është një bekim për vendin. Një investim prej 4 miliardë eurosh në një vend me një Prodhim të Brendshëm Bruto prej rreth 27 miliardë eurosh flet vetë.

Kryeministri hodhi poshtë akuzat se qeveria po shet tokë publike, duke sqaruar se projekti do të zhvillohet në pronë private dhe është rezultat i një marrëveshjeje mes palëve private, pa rol të drejtpërdrejtë të qeverisë.

Kryeministri theksoi se projekti është një shprehje interesi privat dhe se qeveria nuk ka rol në marrëveshjen mes palëve, duke e parë këtë si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së ekonomisë dhe promovimit të Shqipërisë si destinacion turistik.

Sa i përket projektit që ka shkaktuar gjithë këtë reagim dhe polemikë në mbarë botën, bëhet fjalë për pronë private. Nuk bëhet fjalë për tokë publike që qeveria shqiptare po e jep duke e shitur vendin.

Eshtë pronë private. Eshtë një shprehje interesi e bazuar në një marrëveshje private mes palëve private, në të cilën qeveria shqiptare nuk ka asnjë rol, u shpreh Rama për “Al Jazeera”-n.