Aktualitet Politikë

Rama: SPAK-u lëshon fletëthirrje si bileta teatri/Gjyqësori nuk mund të gjymtojë pavarësinë e të tjerëve!

Në fjalën që po mban në mbledhjen me ministrat dhe grupin parlamentar, kryeministri Edi Rama i krahasoi me bileta teatri fletëthirrjet e Prokurorisë së Posaçme dhe foli për një “lëvizje sportive prokurorësh” në prag të mandatit të ri të institucionit.

Ka filluar një lëvizje sportive prokurorësh që janë futur në garë për mandatin e ardhshëm të SPAK-ut, duke prerë fletë-arreste në tufa për çështje që në rastin më të mirë nuk janë çështje penale dhe në rastin më të keq, hetohen në gjendje të lirë. SPAK-u lëshon fletëthirrje si të jenë bileta teatri.

Ndër të tjera deklaroi:

Ka tre pushtete të pavarura dhe nuk mund të jenë në letër siç ishin deri sa ne bëmë gjithcka kemi bërë. Kjo parti i hyri detit në këmbë e pas 100 vjetësh shtet shqiptar, ne i dhamë pavarësinë reale pushtetit gjyqësor.

Nuk bëhem kurrë pishman, pavarësisht llojit të bombave artizanale nga prokurorë e gjykatës që shija e pavarësisë i deh, iu errëson sytë dhe i nis në drejtime që cënojnë pavarësinë e pushteteve të tjera, duke i bërë shkelës të të drejtave të njeriut.

Sot, rreziku i udhëkryqit nuk është që të cënohet pavarësia e gjyqësorit, por gjyqësori mos gjymtojë aftësinë e dy të tjerëve për të funksionuar. Kjo nuk mund të ndodhë në këtë vend sepse ky vend nuk e ka në asnjë mënyrë luksin të frenohet e jo më të ribjerë aty ku ishte.