Aktualitet Politikë

Rama thirrje emigrantëve: Kthehuni investoni se do vijë dita që do shkojë kafja…

Kryeministri Edi Rama e mbylli fushatën elektorale në Dibër me një thirrje për emigrantët dhe për banorët që të investojnë.

Pas futjes në Bashkimin Europian tha Rama, kjo vlerat në këtë zonë do të dyfishohen dhe për këtë ‘la afat’ 5 vite.

“Këtë e kam hakmarrje personale. Kur thoja që do vijë dita që Dibra do hapet si horizont turistik, dibranët më shihnin me formën e vet, kushedi sa do me kenë tallur. Kjo është shumë e qartë. Kush jeton në këtë zonë 5 vite kohë ka që ti hyzmet pronave dhe vlerave që janë këtu.

Kur të hymë në BE të gjitha do dyfishohen dhe trefishohen do vijë dita që do shkojë kafja këtu kushedi sesa euro. 5 vjet janë përpara për të gjithë emigrantët dhe të gjithë ata që janë këtu të bëjnë planet dhe të shikoni si gjenerata tjetër do të jetojë në një vend njësoj si të ishte Zvicra e Shqipërisë“-u shpreh Rama.

Kryesocialisti Edi Rama tha ndër të tjera në fjalën e tij se 9 ditë i ndajnë nga takimi me historinë, teksa theksoi investimet e kryera deri tani dhe ato në vijim, ku pas Rrugës së Arbrit pritet edhe ajo e Lurës dhe Ulëzës.

“Jemi vetëm 9 ditë larg të një takimi me historinë në kuptimin e plotë të fjalës. Unë jam i lehtësuar që nuk po bëjmë tjetër fushatë duke vazhduar të themi se do bëjmë Rrugën e Arbrit, por po bëjmë fushatëm duke ardhur nga Rruga e Arbrit. Unë them se ka qenë dibran ai që ka thënë se “oreksi vjen duke ngrënë”. Kjo rrugë sjell jo vetëm lehtësim të lidhjes së njerëzve me Tiranën, por hap edhe horizont krejt të ri për investimet në turizëm. Në dekadën e ardhshëm Dibra do jetë pjesa më e lakmuar e metropolit të Shqipërisë dhe akseset në pikat më të bukura janë të domosdoshme. Jemi në proces dhe me ndihmën e Zotit shpresoj që deri në fund të vitit të arrijmë edhe rrugën e Lurës.