Muçi Shaljani ndërroi jetë 4 ditë pas atentatit mafioz mesditën e 11 nëntorit pranë Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Rinasit. Me dy plumba në kokë dhe tetë në trup ndodhej në Spitalin e Traumës, në gjendje të rëndë shëndetësore. Nga breshëria e plumbave i vdekur në vend mbeti Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, i cili sapo ishte kthyer nga Spanja, bashkë me Shaljanin, agjent i Mbikëqyrjes Policore, gjithashtu i njohur me mbiemrin Sheqeri.
Në vijim të informacionit të dhënë më datë 11.11.2025, mbi ngjarjen e ndodhur tek rrethrrotullimi i Rinasit, ju informojmë se shtetasi M.Sh. (Sh.), i cili mbeti i plagosur, ka humbur jetën gjatë natës.
Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani u qëlluan me breshëri plumbash kallashnikovi kur me automjetin e tyre po largoheshin nga rrethimi i aeroportit. Nga një makinë dolën 3 persona më armë në dorë dhe bënë shosh me plumba “Mercedez Benz-in” e bardhë që drejtohej nga Shaljani, i cili para dy muajve ishte bërë pjesë e AMP-së si agjent, në një procedurë në shkelje të ligjit.
Atentatorët u larguan kur u siguruan se shënjestra Gilmando Dani ishte vrarë. Më tej, dogjën makinën në fshatin Halil, bashkë me armët që terrorizuan aeroportin. Një ditë më parë, policia shpalli në kërkim 48-vjeçarin Ylli Zalla, në banesën e të cilit në fshatin Zall të Fushë-Krujës, u gjet një arsenal armësh.
Dyshohet se ai është njëri prej bashkëpunëtorëve të grupit të atentatit pranë Rinasit. Ka dyshime se automjeti tip “Toyota”, i përdorur në krim, doli nga shtëpia e tij dhe se armët e atentatorëve u siguruan po nga 48-vjeçari.