Aktualitet

Reshje nuk ka, por ende ka rrugë rurale që kalohen me vështirësi!

Shirat janë ndërprerë, por vazhdon përballja me pasojat e motit të keq. Më shumë probleme ka në rrugët rurale, disa prej tyre vështirësisht të kalueshme. Më e përmirësuar duket situata në zonat e përmbytura, megjithëse përgjatë lumit Seman, rreziku mbetet në fshatrat Beline, Kallm, Mbrostar, Mujalli, Gercalli, Petovë. Prurjet janë në kuota të larta. Vazhdojnë të përmbytura me qindra ha tokë bujqësore brenda argjinaturave në Lushnjë, Roskovec, Patos dhe Fier. Lumi Shkumbin është tërhequr brenda shtratit të tij.

Situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qëndrueshme dhe nën monitorim të vazhdueshëm. Sipërfaqja totale e tokës bujqësore me prani uji vlerësohet rreth 945 ha. Në Obot, uji është prezent vetëm në oborre, pa depërtim në banesa; qarkullimi duket i garantuar dhe realizohet me mjete të ushtrisë.

Në Pogradec problematikat kryesore vijojnë të jenë rrëshqitjet e dherave. Gjatë ditës së djeshme, rastet e tyre u inspektuan nga inxhinierët e Shërbimit Gjeologjik, përfshirë zonat ku janë evakuuar familje në fshatrat Cërravë e Dardhas, si dhe në zonën e rezervuarit të Stropckës. Priten raportet teknike për të përcaktuar hapat e mëtejshëm të ndërhyrjes.

Në qarkun e Korçës ende ka abonentë pa energji elektrike dhe raportohet se janë në funksion 6 grupe operative, të angazhuara për menaxhimin e problematikave në rrjetin e tensionit të mesëm, ndërsa në Gjirokastër situata në qark po vjen duke u normalizuar. Me një korsi vijon qarkullimi në rrugën Tepelenë-Gjirokastër tek vendi i quajtur Shkalla e Zezë.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se sot vendi ynë ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme dhe të ftohta. Moti vijon me kthjellime dhe vranësira kalimtare. Në orët e mëngjesit ka prezencë të mjegullës së dendur, kryesisht përgjatë zonave luginore e prani të ngricave të forta përgjatë akseve rrugore.

Era fryn me drejtim nga kuadrati i veriut, me shpejtësi mesatare deri në 7 m/s, ndërsa në lugina dhe bregdet deri 18 m/s, shoqëruar me dallgëzim 3-5 ballë. Temperaturat luhaten nga minus 11 në 9 gradë Celsius.