Rihanna ka tërhequr sërish vëmendjen e publikut dhe fansave, pasi është parë të dielën në Los Angeles gjatë një vizite në supermarketin “Bristol Farms”, e veshur me rroba të gjëra dhe komode.
Dalja e saj e fundit ka nxitur dyshime për një shtatzëni të mundshme, ndërsa shumë fansa mendojnë se ajo mund të jetë në pritje të fëmijës së tretë me partnerin e saj ASAP Rocky.
Ylli i muzikës, 37 vjeç, kishte zgjedhur një palë tuta të gjëra ngjyrë gri, duke fshehur kështu linjat e trupit, gjë që ka rritur edhe më shumë spekulimet. Çifti tashmë janë prindër të dy djemve, RZA dhe Riot.
Edhe pse ishte një dalje e thjeshtë për blerje ushqimore, Rihanna e ruajti stilin e saj të zakonshëm, duke kombinuar veshjen me një çantë shumëngjyrëshe Louis Vuitton, syze dielli të zeza dhe një gjerdan tërheqës.
Ajo gjithashtu mbante me vete një bllok shënimesh dhe u pa duke shijuar një meze të lehtë në ambientet e supermarketit.
Thashethemet për një shtatzëni të mundshme filluan më herët këtë muaj, kur Rihanna mori pjesë në një event në Paris për promovimin e linjës së saj “Fenty Beauty”.
Aty ajo u shfaq me një fustan metalik ngjyrë ari, i cili kishte një prerje që mbulonte barkun – duke ngjallur menjëherë reagime në rrjetet sociale.
Fansat nisën të komentojnë masivisht me pyetje si: A po përpiqet të na fshehë diçka?” dhe “Na thuaj vetëm që je shtatzënë!”.
Megjithatë, deri tani, Rihanna nuk ka bërë asnjë koment zyrtar mbi këto zëra.