Sport

Risia nga FIA, zbulohet manuali i penalizimeve në Formula 1

Transparencë më e madhe në Formula 1. Ky është qëllimi që FIA i ka vënë vetes me publikimin e udhëzimeve të saj, të hartuara për të menaxhuar momentet delikate dhe shpesh të pasuara me shumë polemika, që kanë të bëjnë me vlerësimin (dhe sanksionimin) e incidenteve në pistë. Dokumenti, siç ka ndodhur tashmë në të kaluarën, do të vazhdojë të udhëheqë stjuardët gjatë vendimeve, por kjo është risia e madhe, pasi rregullat do të jenë për herë të parë të aksesueshme për të gjithë.

Sipas idesë së Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit, tashmë edhe gazetarët dhe tifozët do të jenë në gjendje të disponojnë një tabelë reale në të cilën çdo sjellje e gabuar e kryer nga një pilot do të korrespondojë me një sanksion. Ose më saktë, një gamë sanksionesh, nga të cilat komisarët do të jenë në gjendje të zgjedhin në varësi të episodeve. Në këtë mënyrë do të jetë e mundur të vlerësohet drejtpërdrejt shkalla e zgjedhjeve të stjuardëve, ku synohet të zvogëlohen polemikat që normalisht vijnë pas penalizimeve që marrin pilotët.

Për shembull, në rast të pesë qortimeve në pistë, një pilot do të penalizohet detyrimisht me dhjetë pozicione. Nëse, nga ana tjetër, piloti drejton shumë ngadalë dhe krijon rrezik në pistë, stjuardët do të jenë në gjendje të zgjedhin midis një penalizimi prej dhjetë sekondash, një kalimi me makinë në xhiro më të gjatë, apo një ndalesë dhe nisje prej dhjetë sekondash. Përveç aksidenteve në pistë, dokumenti i lëshuar nga FIA përmban gjithashtu udhëzime aktuale në lidhje me sjelljen që pilotët duhet të mbajnë gjatë drejtimit. Gjatë një manovre parakalimi, për shembull, makina që po parakalon në pjesën e brendshme të një kthese duhet ta sjellë boshtin e saj të përparmë të paktën përpara pasqyrës së makinës rivale në mënyrë që të ruajë pozicionin e saj. Nëse, nga ana tjetër, parakalimi bëhet nga jashtë, pilotit i kërkohet të sjellë boshtin e tij të përparmë përpara atij të makinës tjetër.

Për sa i përket rregullit të përgjithshëm, ai që sulmon ka përparësi, ndërsa piloti që mbrohet është përgjegjës për shmangien e kontaktit. Ka gjithashtu udhëzime në rast të një ndryshimi të trajektores gjatë frenimit, pengimit dhe madje edhe se si të ndiqet Makinën e Sigurisë. “Stjuardët kryejnë një punë komplekse me shumë pasion”, u shpreh presidenti i FIA-s, Ben Sulayem. “Përkushtimi i tyre është shpesh objekt kritikash të ashpra dhe krejtësisht të pajustifikuara. Për të demonstruar rigorozitetin me të cilin ata e kryejnë detyrën e tyre, FIA ka zgjedhur të publikojë udhëzimet e ndjekura për të aplikuar sanksione përveç standardeve të drejtimit. Kjo do t’u japë mediave dhe tifozëve një pasqyrë shumë më të mirë se si merren vendimet në Formula 1″, deklaroi Sulayem. Ndërkohë, Xhorxh Rasëll, kreu i shoqatës së pilotëve, shtoi: “Transparenca më e madhe në qeverisjen e sportit tonë është një hap i rëndësishëm. Shpresojmë të jemi në gjendje t’u japim mediave dhe tifozëve një kuptim më të qartë të rregullave që duhet të ndjekim kur jemi në pistë, si dhe udhëzimeve të ndjekura nga stjuardët kur marrin vendimet e tyre”.