Apeli i GJKKO-së vendosi sot të lërë në fuqi dënimin e shkallës së parë, me burg përjetë për Festim Bexhdilin, kopshtarin e kompleksit “Golden”, në pronësi të të shumëkërkuarit Altin Hajri, për akuzën e rrëmbimit dhe zhdukjes pa gjurmë të trupit të Jan Prengës, më 17 janar 2020, nga Kamza në Shijak.
Bexhdili u akuzua se mori pjesë në zhdukjen e Jan Prengës, teksa dosja ishte kthyer për rigjykim në Apel, por që sot konfirmoi burgimin e përjetshëm.
Seancën e kaluar, më 11 korrik, dy prokurorët e SPAK-ut, Behar Dibra dhe Elida Kaçkini, dhanë pretencë të ndryshme në Apelin e GJKKO-së për Festim Bexhdilin. Dibra kërkoi 20 vite, duke u shprehur:
Mbase i pandehuri nuk di gjë ku ndodhet trupi dhe veproi nga frika.
Por, Kaçkini theksoi kërkesën për burg përjetë:
S’tregoi, nuk shfaqi as pendesë, pjesë e grupit.
Vendimi i Apelit të GJKKO-së:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engert Pëllumbi (kryesues), Igerta Hysi (anëtare) dhe Dhimitër Lara (anëtar), më datë 25.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 63/5 akti, datë 08.11.2024 regjistrimi, kthyer për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues nga Gjykata e Lartë, pas prishjes së vendimit nr. 16, datë 20.03.2023, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar lidhur me të pandehurin F.B. – disponuar mbi ankimet e paraqitura ndaj vendimit nr. 53, datë 29.09.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 53, datë 29.09.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Shpenzimet gjyqësore edhe të gjykimit në apel i ngarkohen të pandehurve solidarisht.
– U shpall në Tiranë, sot më datë 25.07.2025.