Aktualitet

Rreth 60% e eksporteve drejt vendeve të Bashkimit Europian!

Për tremujorin e parë të këtij viti, shkëmbimet tregtare me vendet e Bashkimit Europian zunë 58,1% të gjithë tregtisë. Referuar raportit të INSTAT-it, në periudhën janar-mars 2025, eksportet drejt shteteve të Unionit ishin 68,4% dhe importet nga vendet e BE-së, 53,1% të totalit të tyre.

Në këtë tremujor, eksportet e mallrave arritën vlerën 100 miliardë lekë, duke u rritur me 4,7%. Ndërkohë, importet kapën 202 miliardë lekë, duke u ulur me 3,5% krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 102 miliardë lekë, ulje me 10,4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2024-ës.

Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (27,7%), Kina (8,6%) dhe Greqia (7,9%). Mallrat kryesore që Shqipëria eksporton drejt BE-së janë tekstile e veshje (sidomos fasoneri në Itali dhe Gjermani), minerale dhe metale (krom, hekur-nikel) e produkte bujqësore (fruta, perime).

Mallrat kryesore që Shqipëria importon nga BE-ja janë makineri dhe pajisje industriale, produkte ushqimore të përpunuara, automjete e pjesë këmbimi, produkte farmaceutike dhe teknologji.

Gjatë këtij tremujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë janë: Kosova (79%), Greqia (8,6%) dhe Germania (5,5%). Ndërsa vendet me te cilat ka pasur uljen më të madhe janë: Italia (13,9%) , Maqedonia e Veriut (23,7%), etj.

Vendet me të cilët Shqipëria ka pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (0,3%), Turqia (26,9%), Gjermania (9,4%). Ndërsa vendet me të cilët importet kanë pasur rritjen më të madhe janë: Kina (29%), Greqia (6,4%) dhe Spanja (8,8%).

Po ashtu, Bashkimi Europian është investitori më i madh në Shqipëri, përmes granteve, projekteve zhvillimore, si dhe kompanive private.