Të paktën katër persona u vranë dhe 19 të tjerë u plagosën në kryeqytetin ukrainas Kiev, pasi Rusia ndërmori një sulm masiv me raketa dhe dronë në mbarë Ukrainën gjatë natës, siç edhe njoftuan sot autoritetet.
Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Kliçko, tha se mes viktimave ishte edhe një mjek, ndërsa katër punonjës shëndetësorë mbetën të plagosur.
Infrastruktura kritike u godit gjatë sulmit dhe disa zona të qytetit mbetën pa energji elektrike ose pa ujë, shkroi Kliçko në Telegram.
Në perëndim të vendit, Komanda e Forcave Ajrore të Ukrainës bëri të ditur se një sulm rus ndaj qytetit të Lvivit u krye me një raketë balistike të paidentifikuar.
Sipas ushtrisë ukrainase, raketa u lëshua nga zona e testimit “Kapustin Jar” në Rusi, një pikë e njohur lëshimi për raketat balistike “Oreshnik”.
Kryetari i bashkisë së Lvivit, Andriy Sadovyi, tha se aktualisht nuk dihet nëse bëhej fjalë për një raketë “Oreshnik”.
Ushtria do të japë informacion, shkroi Sadovyi në Telegram.
Ai shtoi se në Lviv janë regjistruar shpërthime, por për momentin nuk ka informacion për viktima.
Objektet civile dhe godinat e banimit nuk janë dëmtuar.
Rusia e përdori për herë të parë raketën “Oreshnik” kundër Ukrainës në qytetin industrial të Dnipros në nëntor të vitit 2024.