Lifestyle

Sa duhet të jetë temperatura e dhomës për një gjumë të rehatshëm dhe matabolizëm të mirë?

Të fjeturit në një dhomë me temperaturë të ulët nuk ofron vetëm rehati gjatë natës, por sipas studimeve mund të ketë efekte të dobishme për shëndetin dhe metabolizmin.

Një hulumtim i financuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në SHBA dhe i botuar në revistën “Diabetes” zbuloi se meshkujt që flinin për një muaj në dhoma me temperaturë rreth 19°C (66°F) përjetuan një rritje të konsiderueshme të yndyrës kafe – një lloj yndyre që ndihmon trupin të djegë kalori për të gjeneruar nxehtësi.

Falë kësaj, ata arrinin të shpenzonin rreth 200 kalori shtesë në ditë pa bërë ndryshime në ushqim apo aktivitet fizik.

Përveç ndikimit tek metabolizmi, fjetja në një ambient të freskët ndihmon në arritjen e një gjumi më cilësor.

Rënia e temperaturës së trupit gjatë natës është thelbësore për të pasur gjumë të thellë e të qetë, çka lidhet me nivelet e ulëta të stresit dhe ndjeshmërinë më të mirë ndaj insulinës.

Ekspertët e “Sleep Foundation” dhe “Cleveland Clinic” sugjerojnë që temperatura ideale e dhomës së gjumit të jetë midis 16°C dhe 19°C për të përfituar sa më shumë nga pushimi gjatë natës.

Edhe pse nuk ka ende dëshmi të forta që të fjeturit në dhoma të ftohta ndikon në jetëgjatësi, duket se ky zakon i thjeshtë mund të sjellë ndryshime pozitive për mirëqenien tuaj të përgjithshme.