Një europian shpenzon mesatarisht rreth 91 euro kur udhëton në një shtet tjetër të Europës, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat dhe që i përkasin vitit 2023. Për mesataren e Eurozonës ky tregues rritet në 93 euro e përfshin fjetjen (akomodimin), ushqimin dhe pijet, transportin lokal, biletat e muzeve, aktiviteteve rekreative, etj.
Të dhënat më të fundit të Eurostat-it mbi shpenzimet mesatare për natë të turistëve europianë tregojnë një rritje të ndjeshme të buxheteve të dedikuara për udhëtime në vitin 2023, pas një rimëkëmbjeje të fortë të turizmit në të gjithë kontinentin. Në vitin 2022 shpenzimi ishte rreth 84 euro e më 2019-ën rreth 77 euro.
Ky indikator shpenzimi mesatar për natë në udhëtimet ndërkombëtare, ofron një pasqyrë të rëndësishme për të parë se cili është niveli i turistëve për nga aftësia e fuqisë blerëse që viziton Shqipërinë.
Italianët janë grupi i dytë më i madh i turistëve që vijnë në Shqipëri, pas Kosovës, me rreth 11% të totalit të hyrjeve, sipas të dhënave të INSTAT-it. Italianët etiketohen nga operatorët e tregut si më “koprracët”, që nuk shpenzojnë e bëjnë pazar për çdo gjë.
Edhe të dhënat e Eurostat-it tregojnë se italianët janë më dorështrënguar se të tjerët në Europë. Mesatarisht, shpenzojnë në udhëtimet e tyre 78 euro në natë ose 14% më pak se mesatarja europiane. Pak a shumë në të njëjtin nivel janë edhe francezët (79 euro), spanjollët (75), Holandezët (po 75 euro).
Italianët po vijojnë të jenë besnikë ndaj Shqipërisë. Për 5 mujorin e parë hynë gati 400 mijë shtetas nga Italia (11.6% e totalit), me rritje 7.8% me bazë vjetore.
Shtrenjtimi i çmimeve po largon turistët dorështrënguar individualë
Ndonëse italianëve u ka dalë “nami” që janë dorështrënguar, ka një kategori tjetër që vjen në Shqipëri që duket se e zgjedhin vendin për çmimet e lira, për të cilat është reklamuar aq shumë në rrjetet sociale. Polakët dhe çekët janë ata që shpenzojnë më pak në udhëtimet e tyre në Europë, me rreth 50 euro/natë, gati sa gjysma e mesatares së Europës, sipas të dhënave të Eurostat-it.
Ky është një grup që ka ardhur në Shqipëri përmes agjencive, duke u vendosur kryesisht në Golem, ndërsa ata që vijnë individualë janë në pjesën e jugut, sipas agjencive turistike. Edhe polakët janë konstatuar nga operatorët në vend si turistë që nuk shpenzojnë shumë.
Turoperatorët kanë konfirmuar se agjencitë e huaja që sjellin polakët, kanë rritur kontratat me garanci më 2025-ën dhe se vera pritet të ketë më shumë vizitorë që preferojnë të vijnë të organizuar. Por vitin e shkuar, një pjesë e rëndësishme e tyre kanë ardhur në formë individuale. Shtrenjtimi i vazhdueshëm i paketave, nën argumentin e kostove dhe zhvlerësimit të euros, bëri të vështira negociatat vitin e shkuar mes agjencive e hoteleve.
Në atë kohë, turoperatorët thanë se Shqipëria duhet të vijojë të mbetet konkurruese në mënyrë që të jetë atraktive për këtë grup vizitorësh që vijnë me paketa “të gjitha të përfshira, apo “vakte dhe hotel (pa pije)”. Këtë vit polakët në formë individuale janë më të kufizuar dhe sipas turoperatorëve kjo lidhet me kosto më të larta të pushimeve ndërkohë që një pjesë duket se po preferojnë desntinacione më afër tyre, ku Kroacia është një ndër to duke shënuar për janar-maj një rritje me 8% të këtij grupi në këtë shtet.
Të dhënat e INSTAT-it treguan se hyrjet e shtetasve polakë në 5 mujorin e parë të vitit ranë me 8.6% në raport me janar-maj 2024, teka gjithsej hynë 42 mijë shtetas, ose 1.4% e totalit.
Turistët dorështrënguar kryesojnë renditjen e turistëve në Shqipëri. Maqedonia e Veriut është e treta për hyrjet në vend për 5 mujorin, me 308 mijë shtetas (9%) e totalit. Të dhënat e Eurostat-it, që i përkasin vitit 2021 tregojnë se shpenzimi mesatar i tyre ishte 37 euro në natë.
Shtetasit grekë janë në vend të katërt me 287 mijë hyrje (8.3% e totalit), një pjesë e të cilëve mund të jenë shqiptarë me pasaportë greke. Sipas Eurostat-it, grekët janë në fund të listës së shpenzuesve, duke qenë më poshtë se polakët e çekët, me 46 euro/natë.
Turizmi, Kosova “ikën” pas heqjes së vizave, “mërziten” polakët dhe spanjollët
Për Shqipërinë, të dhënat e fundit janë të vitit 2020. Në atë vit, një shqiptar që udhëtonte në Europë shpenzonte mesatarisht 31.6 euro/natë, e fundit në Europë.
Të mbajmë mirë gjermanët
Turistët më të mirë për momentin në vend rezultojnë se janë gjermanët. Sipas Eurostat-it, ata shpenzojnë mesatarisht 117 euro në natë kur udhëtojnë nëpër Europë. Ky grup ka shënuar një rritje të fortë të hyrjeve në 5 mujorin e parë të vitit në vend, me 124 mijë hyrje, me rritje 29%. Për herë të parë, gjermanët janë grupi i pestë më i madh i turistëve në vend, me 3.5% të hyrjeve në total.
Operatorët turistikë thonë se fillimisht gjermanët vinin kryesisht me ture kulturore. Tani po vijnë individualisht e për pushime verore, të nxitur dhe nga shitimi i linjave direkte me qytetet gjermane.
Turistët që shpenzojnë më shumë
Austriakët janë turistët që shpenzojnë më shumë kur udhëtojnë në Europë, sipas Eurostat-it, me 155 euro në natë. Në Shqipëri ata zinin 0.6% të hyrjeve totale për 5 mujorin e parë 2025. Në vend të dytë maltezët (138 euro), të ndjekur nga Islanda (131 euro).
Në listën e shpenzuesve më të mëdhenj janë dhe shtetet nordike, ku kryeson Norvegjia, me 127 euro/natë dhe Suedia me 108 euro, duke reflektuar fuqinë e lartë blerëse dhe prirjen për udhëtime me cilësi më të lartë (akomodim më i mirë, shërbime më të kushtueshme, restorante etj.). Nordikët erdhën dy vite radhazi në Shqipëri me kontrata garancie, por në fund të 2022-n u tërhoqën teksa kërkonin cilësi në shërbime.
Tendenca të përgjithshme tregojnë se vendet me shërbime të zhvilluara, akomodim të standardeve të larta dhe infrastrukturë cilësore tërheqin një profil turistësh me buxhet më të lartë. Ndërkohë, vendet më të lira janë kryesisht destinacione për turizëm sezonal me turistë që nuk janë të gatshëm të paguajnë shtrenjtë për shërbimet që marrin./Monitor