Sabrina Carpenter ka zbuluar se kënga e saj “Emails I Can’t Send” është frymëzuar nga ndarja më e dhimbshme që ka përjetuar deri më tani. Në një intervistë për ‘Vogue’, këngëtarja 25-vjeçare pranoi se ky album, i publikuar në korrik 2022, u ndikua nga përvoja e saj e parë e vërtetë me zemrën e ‘thyer’. “Thyerja ime më e madhe e zemrës deri më sot. E para e vërtetë. E urrej ta them këtë, sepse nuk dua që ish-ët e mi të ndihen keq, por nuk kisha ndier ndonjëherë një dhimbje të tillë”-u shpreh ajo.
Sabrina, e cila ka qenë në lidhje me Joshua Bassett, Shawn Mendes dhe Barry Keoghan, sqaroi se kënga nuk ka të bëjë me Barry, pasi ata filluan të takoheshin vetëm në vitin 2023. Duke reflektuar mbi rrugëtimin e saj artistik, ajo tregoi se ‘Short n’ Sweet’, albumi i saj i fundit, përfaqëson më saktë atë që është sot. “Në këtë album, jam absolutisht unë. Nuk ka alter ego, thjesht një version i theksuar i vetes sime”-tha ajo për ‘Vogue’.
Sabrina pranoi se publikimi i albumit e kishte bërë nervoze, por theksoi se ishte frymëzuar nga figura të forta dhe hiperfemërore të së kaluarës. “Më frymëzuan gratë që ndiheshin të fuqishme dhe hiperfemërore. Doja të thosha gjithçka që më vinte në mendje, pa asnjë filtër”-përfundoi ajo. Carpenter është duke shijuar një periudhë të suksesshme në karrierën e saj muzikore, duke treguar gjithnjë e më shumë aftësitë e saj të jashtëzakonshme.
Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve Grammy për vitin 2025, ajo mori katër nominime dhe doli fituese në dy kategori; për performancën më të mirë solo pop dhe albumin më të mirë vokal pop. Këngëtarja dhe aktorja 25-vjeçare, e cila ka arritur sukses të jashtëzakonshëm në vitin 2024, vazhdon të rritet si artistë dhe është gati për çdo mundësi që do të vijë në rrugën e saj. Sabrina ka lindur më 11 maj 1999, në Lehigh Valley, Pensilvani. Që nga fëmijëria, ajo ka pasur një pasion të veçantë për muzikën, dhe kjo është mbështetur nga babai i saj, i cili e inkurajoi të zhvillonte aftësitë e saj muzikore në një studio të vogël.