Aktualitet Politikë

Seanca plenare, PD-ja kërkon 60 minuta diskutim jashtë rendit të ditës!

Nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali, sot u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve që shqyrtoi projektprogramin e punës së Kuvendit për periudhën 29 Maj-8 Korrik 2025 dhe projektkalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 29 Maj-18 Qershor 2025. Por, nuk arriti dakordësi dhe çështja i kaloi për votim seancës plenare.

Pika tjetër e rendit të ditës ishte njohja e anëtarëve të Konferencës së Kryetarëve me Raportin e monitorimit për periudhën 1 Janar-31 Mars 2025, për ecurinë e zbatimit të Planit të Veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të raportit të Komisionit Evropian për vitin 2024.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në Konferencën e Kryetarëve u shpreh se Kuvendi është kthyer si pronë private nga mazhoranca.

E keni kthyer Kuvendin si pronë private. Vini këtu sikur jeni kthyer nga Suedia, ku në fakt jeni kthyer nga një llum qe e keni krijuar ju me duart tuaja. Keni caktuar një seancë turpi për të bërë vetëm foto aty. Nuk keni caktuar dhe nuk keni lënë as çështje jashtë rendit të ditës. Këtë e garanton rregullorja e Kuvendit.

Unë e kuptoj qe ju nuk doni debat. Sepse doni ta trajtoni sikur jeni kthyer nga pushimet, ku në fakt ju jeni kthyer nga drejtimi i një grupi të strukturuar kriminal, ku vodhët dhe dhunuat zgjedhjet duke e krahasuar Shqipërinë me Rusinë. Nuk mund ta trajtoni Kuvendin si pronë private e as vendin si në normalitet. Siç e thotë OSBE, ju keni shkallmuar barazinë në zgjedhje dhe keni rrëzuar nenin 1 të Kushtetutës.

Pas mbledhjes, Bardhi depozitoi në Kuvend një kërkesë urgjente lidhur me ndryshimin e rendit të ditës së seancës së sotme plenare e për respektimin e nenit 45 të Rregullores së Kuvendit. Ai kërkoi të përfshihet 60 minuta diskutim jashtë rendit të ditës në seancë.