Sot do të zhvillohet seanca e parë plenare e Kuvendit të Shqipërisë pas ndërprerjes për shkak të fushatës elektorale. Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, sot paradite ka thirrur Konferencën e Kryetarëve, ku sipas rendit të ditës pritet të shqyrtohet projektprogrami i punës së Kuvendit për periudhën 29 maj – 8 korrik 2025.
Gjithashtu, në rend të ditës është shqyrtimi i projektkalendarit të punimeve të Kuvendit për periudhën 29 maj – 18 qershor 2025 si dhe Raporti i Monitorimit për periudhën 1 janar – 31 mars 2025, lidhur me ecurinë e zbatimit të Planit të Veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të raportit të Komisionit Europian për vitin e kaluar.
Po sot në orën 12:00 do të mblidhet seanca plenare. Parlamenti aktual i mbyll punimet në fund të javës së tretë të korrikut, ndërsa në shtator do të konstituohet parlamenti i ri.
Një orë para seancës, Partia Socialiste do të mbledhë grupin parlamentar. Në mesazhin që kreu i grupit, Niko Peleshi u ka dërguar deputetëve kërkohet pjesëmarrje e domosdoshme. Nga ana tjetër, numri një i grupit demokrat, Gazment Bardhi ka ftuar deputetët e opozitës që të jenë të pranishëm për të paraqitur faktet e asaj që Partia Demokratike e quan “farsa elektorale e 11 Majit”.